SHBA-ja ndalon një tjetër cisternë nafte në brigjet e Venezuelës

Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar një cisternë tjetër nafte pranë brigjeve të Venezuelës në ujëra ndërkombëtare, ka konfirmuar të shtunën sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem.

Veprimi vjen vetëm disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar një “bllokadë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Është hera e dytë në javët e fundit që Shtetet e Bashkuara ndalojnë cisternat e naftës pranë Venezuelës, mes një grumbullimi të madh ushtarak amerikan në rajon, raporton Reuters.

Noem ka konfirmuar se Roja Bregdetare ka ndaluar një cisternë që ishte ankoruar për herë të fundit në Venezuelë.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterrorizmin në rajon”, ka thënë ajo në një deklaratë të postuar në mediat sociale.

“Ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju ndalojmë”, ka shtuar ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, ka deklaruar se cisterna përmbante naftë të sanksionuar.

“Ishte një anije me flamur të rremë që vepronte si pjesë e flotës në hije të Venezuelës për të trafikuar naftë të vjedhur dhe për të financuar regjimin narkoterrorist të Maduros”, ka shkruar ajo në X.

Qeveria venezueliane e ka quajtur ndalimin e cisternës si një “akt serioz të piraterisë ndërkombëtare”.

“Venezuela denoncon dhe hedh poshtë vjedhjen dhe rrëmbimin e një anijeje të re private që transportonte naftë, si dhe zhdukjen me forcë të ekuipazhit të saj, të kryera nga personeli ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ujërat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.