Halili: Kongreset s’duhet të mbeten vetëm rituale formale, por pasqyrë për vlerësimin e kontributit real të individëve

Pas mbajtjes së Kongresit të Pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Shkup, Festim Halili ka reaguar publikisht, pasi emri i tij nuk është përfshirë në listën e strukturave të reja drejtuese të partisë, njofton TS.

Në reagimin e tij, Halili ka uruar mandatin e ri të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se ky mandat duhet të shërbejë si një moment reflektimi të thellë politik dhe moral për rrugën e mëtejme të organizimit dhe përfaqësimit të partisë.

Ai vlerëson se kongreset nuk duhet të mbeten vetëm rituale formale të vazhdimësisë, por duhet të shërbejnë si pasqyrë për vlerësimin e ndershëm të kontributit real të individëve dhe drejtësinë e përzgjedhjeve brenda partisë.

Sipas Halilit, për vite me radhë, figura që kanë dhënë kontribut të prekshëm intelektual, institucional dhe shoqëror janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse, ndërsa persona pa peshë meritokratike janë avancuar në pozita kyçe, veçanërisht në degën e Tetovës. Ai kritikon mungesën e llogaridhënies, duke përmendur humbjen në katër cikle zgjedhore radhazi.

Në reagimin e tij, Halili thekson se një parti që synon të mbetet relevante dhe e besueshme duhet të rikthejë meritokracinë si parim themelor, të dëgjojë zërat kritikë nga brenda dhe të krijojë hapësirë për individë që kanë dëshmuar vlerë përmes veprave dhe jo servilizmit.

Sipas tij, vetëm përmes një korrigjimi të brendshëm dhe reformimi të qasjes drejtuese mund të forcohet besimi i publikut dhe të ndërtohet një vizion politik që i shërben realisht shoqërisë./TS