
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan deklaroi se Turqia ushtron presion për të nisur fazën e dytë të marrëveshjes për armëpushim në Gaza, pasi shkeljet vazhdojnë të rriten, duke paralajmëruar se dhuna e rinovuar mund të përhapet jashtë enklavës, dhe theksoi gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim.
Në një intervistë për TRT World, Fidan tha:
“Armëpushimi është shumë i vlefshëm për ne sepse pamë tmerrin, tragjedinë njerëzore, gjenocidin që ndodhi në Gaza gjatë dy viteve të fundit, që nga vjeshta e vitit 2023“.
Por ai shtoi se „ka shkelje të vazhdueshme të armëpushimit“, duke theksuar se “që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor, janë vrarë afërsisht 400 palestinezë”.
Fidan tha se Turqia mbështet kalimin e marrëveshjes në fazën e dytë, e cila përfshin forca ndërkombëtare të planifikuara për stabilizim dhe një mekanizëm për menaxhimin e Gazës.
“Gjatë javëve të ardhshme, do të shohim disa rezultate të qarta preliminare nga këto diskutime”, tha ai.
Ai theksoi se Turqia është e gatshme të marrë pjesë në një forcë të tillë, pavarësisht kundërshtimeve izraelite, duke pretenduar se Ankara ka vepruar si “zëri i ndërgjegjes njerëzore, ndërgjegjes ndërkombëtare përballë krimeve izraelite në Palestinë”.



