Lufta në Ukrainë, bisedime të reja SHBA-Rusi në Miami këtë fundjavë

Bisedime të reja midis të dërguarve rusë dhe amerikanë mbi luftën në Ukrainë janë planifikuar të zhvillohen këtë fundjavë në Miami, Florida, njoftoi të mërkurën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenca amerikane nuk zbuloi përbërjen e delegacioneve.

Megjithatë, sipas një raporti të publikuar në faqen e internetit Politico, Uashingtoni do të përfaqësohet nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i Presidentit Donald Trump, dhe Moska nga i dërguari ekonomik i Kremlinit, Kirill Dmitriev.

Bisedimet e reja po organizohen pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli për “përparim” në përpjekjet për të arritur një kompromis midis Kievit dhe Uashingtonit mbi përmbajtjen e një plani të propozuar Moskës për t’i dhënë fund luftës, pas takimeve të dielën dhe të hënën të zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë në Berlin. Megjithatë, Zelensky paralajmëroi në të njëjtën kohë se Rusia po përgatitet për një “vit të ri lufte” në 2026.

Presidenti rus Vladimir Putin, nga ana e tij, përsëriti dje se objektivat e sulmit ndaj Ukrainës “do të arrihen pa dyshim”. Detajet e planit amerikan pas amendamenteve të paraqitura në Berlin nuk dihen. Kievi proteston sepse teksti parashikon lëshime territoriale nga ana e tij.

Teksti origjinal u përshkrua nga qeveria ukrainase dhe aleatët evropianë të Kievit si shumë i favorshëm për Kremlinin.