Shpërblime nga FIFA për Botërorin 2026, ja sa do të mund të përfitojë Shqipëria për pjesëmarrjen

Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha në kuadër të finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar shpërblime të jashtëzakonshme për Botërorin 2026, duke vendosur një rekord historik në përfitimet financiare për federatat pjesëmarrëse.

Sipas vendimit të ri, secila kombëtare që merr pjesë do të përfitojë të paktën 10 milionë euro, ndërsa skuadra që do të shpallet kampione e Botës do të marrë 50 milionë euro shtesë vetëm për këtë arritje. Kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me Botërorin e fundit në Katar, ku Argjentina përfitoi 42 milionë euro për titullin, ndërsa Franca kishte marrë 38 milionë euro në edicionin e 2018 në Rusi.

FIFA argumenton se zgjerimi i numrit të ekipeve, të ardhurat më të mëdha nga të drejtat televizive, kërkesa e lartë për bileta dhe interesi komercial në SHBA, Kanada dhe Meksikë e kanë bërë të mundur këtë shpërblim historik për federatat anëtare.

Gjithashtu, gjatë Këshillit të FIFA-s u vendos një fond humanitar për Gazën, me qëllim mbështetjen e një zone të goditur rëndë nga krizat dhe mungesa e burimeve, duke treguar përkushtimin e organizatës ndaj çështjeve humanitare në botë.

Ky vendim pritet të rrisë edhe më shumë konkurrencën dhe motivimin e ekipeve për të dhënë maksimumin në turneun e madh që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA.