Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar për herë të parë se do t’i përgjigjen ushtarakisht Rusisë nëse ajo sulmon sërish Ukrainën.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, pas pjesëmarrjes së tij në samitin e Berlinit, raporton portali polak Onet News.
Sipas Tusk, mesazhi amerikan ka qenë i qartë dhe i drejtpërdrejtë gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e SHBA-ve.
“Për herë të parë e dëgjova këtë drejtpërdrejt nga goja e negociatorëve amerikanë. Zoti Steve Witkoff ishte shumë i qartë se Amerika do të përfshihet në garancitë e sigurisë për Ukrainën në mënyrë që rusët të mos kenë asnjë dyshim se, në rast të shkeljes së kushteve të armëpushimit, përgjigjja e SHBA-ve do të jetë ushtarake”, tha Tusk, sipas Onet News.
Kryeministri polak theksoi se në Berlin ishte e dukshme, ndoshta për herë të parë kaq qartë, se Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Ukraina janë në të njëjtën linjë politike dhe strategjike.
Sipas tij, ky unitet është çelësi i vetëm për ta detyruar Rusinë të hyjë në negociata serioze për përfundimin e luftës ose, të paktën, për një armëpushim të qëndrueshëm.
“Është e domosdoshme që ne, së bashku me amerikanët dhe ukrainasit, të veprojmë si aleatë të vërtetë, në mënyrë që Rusia dhe Putini të kuptojnë se është e pamundur të krijohet përçarje mes këtyre tre palëve”, deklaroi Tusk.
Një ditë më parë, në Berlin u zhvillua një takim i gjerë mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë. Po atë ditë, delegacionet e Ukrainës dhe të SHBA-ve zhvilluan negociata lidhur me një të ashtuquajtur “plan paqeje”.
Sipas raportimeve mediatike, negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner ushtruan presion mbi palën ukrainase për të hequr dorë nga një pjesë e Donbasit që aktualisht ndodhet nën kontrollin e Ukrainës.
Presidenti Zelensky ka deklaruar publikisht se Ukraina nuk do ta njohë Donbasin si territor rus, as de facto dhe as de jure.




