Festat e fundvitit – Ohëri dhe Struga po përgatiten për shumë turistë

Festat e Vitit të Ri do të sjellin numër të madh mysafirësh, kryesisht nga vendet fqinje, në Strugë dhe Ohër, me çrast të paktën për një kohë të shkurtër do t’i gjallërojnë dy qytetet që kishin rënë në gjumë dimëror. Hotelet buzë liqenit tashmë janë të mbushura, kryesisht me turistë nga Bullgaria dhe Serbia, por do të ketë edhe nga Shqipëria, Turqia, Polonia, Mali i Zi. Çmimet ndryshojnë në varësi të llojit të ofertës dhe numrit të ditëve.

“Edhe këtë vit, si vitet e kaluara, kemi rezervime të shkëlqyer, sepse ne nuk japim vetëm dhoma, por ofrojmë histori, jo vetëm në hotel por edhe në rajon. Tradicionalisht pakoja jonë përfshin minimum tre net me çmim prej 280 euro e sipër dhe përfshin pritjen e Vitit të Ri me darkë gala, si dhe darkën solemne më 1 janar”, tha Ana Jançeva – menaxhere hoteli në Strugë.

Por gastronomët thonë se çmimet janë të kapshme.

“Mund të them se për paratë që paguhen, mysafirët marrin më shumë krahasuar me vendet fqinje. Shumë hotele do të ofrojnë vetëm fjetje pa pritje, një numër më i vogël kanë organizuar pritje. Pritje organizohen edhe në objekte që janë në tipin e restoranteve dhe në sheshe. Kemi kërkesa dhe telefonata çdo ditë dhe presim numër të mirë”, u shpreh Kërste Bllazheski – kryetar i Shoqata e Hotelierëve.

Çmime shumë të larta për pritjen e natës së Vitit të Ri ofrohen edhe në disa restorante. Për disa prej atyre që ndodhen në vijën e parë buzë liqenit në Ohër duhet të ndahen 100 euro, por mund të gjenden edhe oferta më të lira.

Ata që duan ta kalojnë më lirë, vitin 2026 mund ta presin në sheshin e qytetit në Ohër, ku do të ketë pritje të organizuar me muzikantë vendor. Nëse edhe në Strugë do të ketë festë në hapësirë të hapur, për momentin nuk ka informata, ndërsa qyteti ende nuk është zbukuruar. / Alsat.mk