Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi
Endri Shabani është zgjedhur me 85 vota pro për postin e Avokatit të Popullit. Në fakt ai u zgjodh në këtë post jo për të qenë avokat i popullit. As i qytetarëve shqiptarë. Por për të punuar nën diktatin dhe me direktivat e Fondacionit Soros. Po të mos ishte rekomandim i Sorosit Edi Rama dhe mazhoranca e tij nuk do ta votonin. Duke qenë de facto avokat i Sorosit, Endri Shabani është gjithashtu edhe avokat i djallit. Por kurrë jo avokat i popullit. Ka për të bërë shou, me qëllim që të krijojë imazhin e tij në këtë funksion. Por nuk ka për të qëndruar asnjëherë përballë regjimit të mafies.
Edhe në të kaluarën Avokati i Popullit nuk ka lënë gjurmë në mbrojtje të së drejtës së qytetarëve të vendit tonë. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre të gjithë paraardhësit e Endri Shabanit i kanë bërë makiazh regjimit të mafies të instaluar në Shqipëri. Kanë vepruar me shumë vonesë në ndonjë rast, thjesht për t’u gjendur në punë si kofini pas të vjelave. Por rasti i zgjedhjes së Endri Shabanit është specifik. Madje një rast studimor sui generis. Ai vjen nga e majta dhe kishte marrë 35 firma nga deputetët e të djathtës për të kap pozicionin në fjalë. Një alkimi e çuditshme. Të djathtët anti-Soros i kanë dhënë firmat një prej eksponentëve më të rëndësishëm të Sorosit në Shqipëri për t’u bërë Avokat i Popullit.
Demokratët u tërhoqën. Thanë se kanë tërhequr gjithashtu firmat e mbështetjes për Endri Shabanin dhe njëkohësisht nuk morën pjesë në votimin e tij për postin në fjalë. Por ai u zgjodh. Shabani pas votimit bëri të habiturin për qëndrimin e demokratëve, megjithatë i falënderonte ata për mbështetjen e tyre me firma për t’ia dhënë mundësinë për kandidim. Aty ai sqaron se kishte kërkuar edhe mbështetjen e deputetëve socialistë, por këta i paskan thënë se propozimi duhej të vinte nga opozita. Dhe kësisoj gjeti mënyrën ta marrë atë mbështetje përmes firmave.
Truku ishte i besueshëm. Firmat u mblodhën në kohën kur bëheshin përgatitje për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës dhe Florian Binajt i duhej mbështetje edhe nga partia thurje e Endri Shabanit për këtë fushatë. Në këmbim të mbështetjes edhe televizive, pra publike, opozita i fali at9ij firmat për kandidim. Kaq duhej për mazhorancën e Edi Ramës. Të kishte alibinë se kandidatura e Shabanit ishte propozim i opozitës. Ndërkohë zgjedhjet në Tiranë nuk u bënë. Opozita i dha Endrit atë që deshi, por nuk mori prej tij kundër shpërblimin.
Kësisoj Edi Rama duhej ta shpërblente besnikun e tij për shërbimin që ai i bëri, duke e detyruar dajon e tij që të mos tërhiqej nga mandati i deputetit. Pra që të parandalohej shkuarja në kuvend i Adriatik Lapajt. Sepse për Ramën sorosisti tjetër, Adriatik Lapaj, nuk kontrollohej si Endri. Ndoshta ishte udhëzuar nga Sorosi të bënte rolin e kundërshtarit të Ramës, me qëllim që të kishte një shpresë për ngritjen e tij në epokën post-Rilindje. Sidoqë të jetë, Endri bëri shërbimin dhe Rama duhej t’ia kthente borxhin atij. Por duhej që “mishi të piqej dhe helli të mos digjej”! Kështu u sajua mundësia që Shabani të vinte në kuvend si propozim i opozitës për kreun e Avokatit të Popullit.
Me këtë veprim evitohej zgjedhja e Besim Ndregjonit ose Adriana Kalasë në këtë post. Të dy prej këtyre kanë marrë zero vota pro, kurse ka të tjerë që nuk janë opozitarë si këta dhe kanë marrë së paku një ose tri vota pro. Zero vota për Ndregjonin dhe Kalanë janë pasqyrë e refuzimit klasik të mazhorancës kundër këtyre dy figurave të qëndrueshme opozitare. Madje edhe mesazhe se “opozitarizmi nuk shpërblehet”. Përkundrazi dhunohet dhe refuzohet.
Megjithatë Avokat të Popullit nuk të bëjnë kartonat e përfaqësuesve të mafies në parlamentin e Shqipërisë. I tillë bëhesh vetë. Me qëndrime opozitare dhe me luftën kundër regjimit të mafies në shërbim të qytetarëve të këtij vendi. Opozita shqiptare ndërkohë duhet të nxjerrë mësimet e saj. Euforia është armiku i suksesit. Në kushte euforie nuk sheh se ku po gabon. Dhe më pas gjendesh para të papriturave. Thua se po i tërheq firmat, nuk merr pjesë në votim dhe e bojkoton zgjedhjen, por një fjalë thotë se “mendja pas kuvendit dhe pushka pas luftës nuk vlejnë”!




