Trump godet Evropën: Po dështon në Ukrainë, në migrim dhe në politikë – flasin shumë, bëjnë pak

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një intervistë në “Politico” ka lëshuar një seri kritikash të ashpra ndaj politikave evropiane, duke thënë se Evropa “po dështon” në menaxhimin e luftës në Ukrainë, migrimit dhe çështjeve të sigurisë.

“Politico” e ka renditur Trumpin si personin më me ndikim në Evropë për vitin 2024 në listën vjetore “P28”, ndërsa ai e ka shfrytëzuar intervistën për të goditur drejtuesit evropianë dhe qasjen e tyre ndaj krizave aktuale.

Trumpi e përqeshi qëndrimin e shumicës së qeverive evropiane që deklarojnë se do ta “mbështesin Ukrainën deri në fitore”.

“Ata thonë se do ta mbështesin Ukrainën deri në fitore – unë them, deri sa të rrëzohen. Flasin shumë, bëjnë pak”, ka thënë ai.

Sipas tij, shtetet evropiane “nuk po bëjnë punë të mirë”, as në luftë dhe as në qeverisje.

“I njoh të gjithë. Disa i pëlqej, disa jo. Ka liderë të mirë e të këqinj, të mençur e shumë të paaftë. Evropa nuk po funksionon mirë – flasin shumë, prodhojnë pak”, shtoi presidenti amerikan.

Ai sulmoi ashpër edhe politikat e migrimit, të cilat i quajti “katastrofë”.

“Nëse vazhdojnë kështu, shumë vende evropiane nuk do të jenë më të qëndrueshme. Po lënë të hyjnë njerëz nga kudo – edhe nga burgjet në Kongo. Kjo po e shkatërron Evropën”, ka thënë Trump.

Trump përmendi Suedinë si shembull të rënies së sigurisë, ndërsa për Gjermaninë ka thënë se ish-kancelarja Angela Merkel ka bërë dy gabime historike: “migrimin dhe energjinë”. Nuk kurseu as kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, të cilin e quajti “kryetar të paaftë dhe person të neveritshëm”, duke shtuar se “Londra nuk është më ajo që ishte”.

Ai u shpreh se edhe Parisi ka ndryshuar plotësisht nga dikur.

“Nëse duan t’i shpëtojnë vendet e tyre, duhet t’i dëbojnë të gjithë ata që kanë hyrë ilegalisht”, deklaroi Trump.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Trumpi deklaroi se Rusia “është në pozitë më të fortë negociuese”.

“Nuk ka dyshim për këtë. Është një vend shumë më i madh. Kjo luftë nuk duhej të kishte ndodhur. Po të isha unë president, nuk do të ndodhte kurrë”, potencoi ai.

Ai paralajmëroi se konflikti mund të shndërrohet në një “Luftë të Tretë Botërore” dhe se aktualisht “është një problem i madh për Evropën që po menaxhohet keq”.

Trump akuzoi hapur Ukrainën edhe për shmangie të zgjedhjeve gjatë luftës.

“Mendoj se është koha të mbahen zgjedhje. Ata flasin për demokraci, por në një moment nuk është më demokraci. Populli ukrainas duhet të zgjedhë”, përfundoi Trump.