U kap duke transportuar 5 emigrantë nga Egjipti, arrestohet i riu nga fshati Kopanicë

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme, është arrestuar një 28-vjeçar nga fshati Kopanicë, pasi i njëjti, ishte kapur duke transportuar pesë emigrantë nga Egjipti.

“Më 08.12.2025 në orën 20:30, në vendin e quajtur “Nova petla” në Gjevgjeli, punonjës policorë nga Stacioni Policor për Kalim Kufitar dhe Mbikëqyrje Kufitare Bogorodicë, e arrestuan R.R. (28) nga fshati Kopanicë, rrethina e Shkupit. Gjatë kontrollit në automjetin “Peugeot” me targa nga Gostivari, që e drejtonte ai, u gjetën pesë emigrantë nga Egjipti. Emigrantët u dërguan në Qendrën e Pranimit – Transit “Vinojug” në Gjevgjeli, dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër R.R. do të parashtrohet kallëzim i duhur penal”, thonë nga MPB.