Dhjetëra pilotë të linjave ajrore i thanë Reutersit se hezitojnë të zbulojnë problemet e shëndetit mendor – edhe ato të vogla ose të trajtuara – nga frika e pezullimit dhe një rishikimi që mund t’ua ndërpresë karrierën.
Annie Vargas e shihte të birin duke u bërë gjithnjë e më keq dhe i lutej që të kërkonte ndihmë. Por djali i saj, Brian Wittke, pilot 41-vjeçar i kompanisë “Delta Air Lines” dhe baba i tre fëmijëve, kundërshtonte me frikën se trajtimi për depresion mund t’i kushtonte me licencë dhe karrierë.
Rënia e udhëtimeve ajrore gjatë pandemisë e mbajti Wittken më shumë në shtëpi dhe ndikoi në shëndetin e tij mendor, tha Vargas për Reuters.
Në mëngjesin e 14 qershorit 2022, Vargas u përpoq t’i dërgonte mesazh të birit, por të dhënat e vendndodhjes së tij ishin të çaktivizuara. Kur u shfaqën sërish, Wittke kishte humbur jetën tragjikisht në malet e Utahs pranë shtëpisë së tij, jashtë Salt Lake Cityt.
Pilotët e linjave ajrore shpesh fshehin problemet e shëndetit mendor nga frika se deklarimi i terapive, medikamenteve apo edhe kërkimi i thjeshtë i ndihmës mund t’i çojë në humbjen e licencës, duke rrezikuar veten dhe pasagjerët. Kjo del nga intervistat e Reuters me rreth 30 pilotë, ekspertë mjekësorë dhe zyrtarë të industrisë, si edhe nga studimet mjekësore të shqyrtuara nga agjencia.
Për këtë artikull Reuters bisedoi me të paktën 24 pilotë komercialë në SHBA dhe jashtë saj, të cilët thanë se shmangin deklarimin e problemeve të shëndetit mendor – edhe kur janë të lehta ose të trajtuara – nga frika e pezullimit të menjëhershëm dhe e një shqyrtimi të gjatë e të kushtueshëm mjekësor që mund t’ua përfundojë karrierën.
Pilotët që folën Reuters përmendën disa arsye përse ngurrojnë të kërkojnë ndihmë: politikat e kompanive ajrore, kërkesat rregullatore dhe stigma sociale.
“Një njeri i vërtetë ka probleme të vërteta”, tha Vargas. “Dhe nuk duhet të ndëshkohet sepse përpiqet t’i përballojë ato”.
Vargas tha se vendosi të fliste me Reutersin për përvojën e të birit, sepse shpresonte se kjo tragjedi familjare do të nxisë ndryshime në kulturën e aviacionit rreth shëndetit mendor. Agjencia verifikoi detajet e rrëfimit të saj edhe me bashkëshorten e Wittkes.
Delta e përshkroi Wittken si një anëtar të vlerësuar të ekipit dhe vdekjen e tij si “tragjike dhe thellësisht të dhimbshme”. Kompania tha se stigma ndaj kërkimit të shërbimeve të shëndetit mendor është e pranishme në komunitetin e pilotëve.
Si shumë kompani të mëdha ajrore amerikane, Delta ofron programe konfidenciale mbështetëse mes kolegësh dhe shërbime këshillimi për punonjësit. Së fundmi ka nisur edhe një program të ri ndihme për pilotët, me qasje në terapi dhe këshillim, duke marrë parasysh kërkesat për certifikim mjekësor.
“Do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për ofrimin e zgjidhjeve të tjera”, tha kompania.
Në shumicën e profesioneve, njerëzit mund të kërkojnë trajtim mjekësor apo psikologjik pa përfshirë punëdhënësit apo rregullatorët, siç është FAA (Administrata Federale e Aviacionit).
Aviacioni funksionon me standarde më të rrepta: pilotët duhet të plotësojnë kritere të forta fizike dhe psikologjike për të ruajtur certifikimin mjekësor të FAA-s, duke kryer kontrolle periodike deri çdo gjashtë muaj. Pilotët që raportojnë ankth ose depresion mund të pezullohen. Rastet e lehta mund të zgjidhen shpejt, por rastet më serioze kërkojnë një shqyrtim të thelluar që mund të zgjasë deri një vit ose më shumë.
FAA-ja tha në një deklaratë se është e përkushtuar të vë në plan të parë shëndetin mendor të pilotëve dhe se po përditëson vazhdimisht qasjen e saj bazuar në shkencën më të fundit mjekësore.
Frika nga pezullimi
Dhjetë vjet pas ngjarjes tragjike në të cilën një pilot i Germanwingsut, me histori depresioni të rëndë, rrëzoi një avion “Airbus A320” në Alpet Franceze, industria globale e aviacionit ende nuk ka krijuar një kornizë të unifikuar për trajtimin e shëndetit mendor të pilotëve dhe stigma mbetet një pengesë e madhe, sipas intervistave të Reutersit.
Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit kërkon që kompanitë ajrore të ofrojnë programe mbështetjeje mes kolegësh për pilotët dhe ka forcuar mbikëqyrjen mbi mjekët ekzaminues.
Në Shtetet e Bashkuara, FAA-ja ka zgjeruar listën e antidepresantëve dhe medikamenteve të tjera të miratuara për trajtimin e problemeve mendore. Ajo ka krijuar gjithashtu një procedurë të veçantë për pilotët që deklarojnë diagnozën ADHD. Ndërkohë kompanitë ajrore dhe sindikatat e pilotëve kanë zgjeruar programet konfidenciale të mbështetjes.
Autoriteti i Sigurisë së Aviacionit të Australisë lejon që pilotët me depresion apo ankth të mbajnë certifikimin mjekësor, madje edhe gjatë trajtimit – nëse rreziqet për sigurinë menaxhohen mirë. Shefja mjekësore e agjencisë, Kate Manderson, tha se ekipi i saj zakonisht i finalizon shqyrtimet brenda 20 ditëve.
Por hendeku midis politikave dhe perceptimit mbetet i madh. Një studim i vitit 2023 me 5.170 pilotë nga SHBA-ja dhe Kanadaja gjeti se më shumë se gjysma shmangnin kujdesin shëndetësor për shkak të frikës se do të humbnin statusin e fluturimit. Këtë ndjenjë e përmbledh një shprehje e njohur mes pilotëve: “Nëse nuk gënjen, nuk fluturon”.
Sindikatat e pilotëve, grupet e avokimit dhe organizatat e industrisë po i bëjnë presion FAA-s që të zbatojë rekomandimet e Komitetit të Rregullave të Aviacionit — hapa për të mbrojtur pilotët që deklarojnë probleme dhe për t’i rikthyer më shpejt në detyrë. Në shtator, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA votoi që FAA t’i zbatojë këto ndryshime brenda dy vjetësh.
Duke pritur të lejohen të fluturojnë
Për piloten amerikane të linjave komerciale, Elizabeth Carll, 36 vjeçe, këto reforma nuk mund të vijnë mjaft shpejt. Në vitin 2021, ajo u pezullua nga trajnimi si pilote pasi deklaroi se po merrte një dozë të ulët të një medikamenti kundër ankthit. Pas një periudhe të detyrueshme pritjeje gjashtëmujore, ajo priti edhe gjashtë muaj për një takim me një specialist të shëndetit mendor të aprovuar nga FAA-ja. Rregullatori më pas kaloi më shumë se një vit duke shqyrtuar raportin e saj – vetëm për ta shpallur të vjetruar dhe të urdhërojë një ekzaminim të ri.
Carll, e cila punonte si dispeçere fluturimi gjatë trajnimit, nuk përjetoi vështirësi financiare, por tha për Reuters se çdo ndryshim i medikamentit mund të shkaktojë të njëjtin proces të gjatë dhe të kushtueshëm.
“Shaka është që thjesht e injoron dhe pretendon që nuk po ndodh, sepse njerëzit kanë frikë se do t’u rrënohet karriera”, tha ajo.
Një zëdhënës i FAA-së tha për Reuters se agjencia po përditëson politikat e saj për shëndetin mendor dhe ka miratuar më shumë medikamente. Ai nuk komentoi rastin e Carllit kur u pyet dhe nuk dha informacion mbi kohën tipike të shqyrtimit të raporteve mjekësore për pilotët që kanë ndjekur trajtim për shëndetin mendor.
“Ne i inkurajojmë pilotët të kërkojnë ndihmë herët nëse kanë një problem shëndetësor mendor, pasi shumica, nëse trajtohen, nuk e diskualifikojnë pilotin nga fluturimi”, tha zëdhënësi i FAA-së.
Mirëqenia e pilotëve u rikthye në vëmendje në qershor, kur fluturimi i “Air India Flight 171” u rrëzua pas ngritjes, duke marrë jetën e 260 personave. Një raport i përkohshëm i hetimit gjeti se të dy çelësat e ndërprerjes së karburantit ishin lëvizur manualisht, duke përjashtuar një dështim mekanik. Raporti përfundimtar pritet të dalë pas disa muajsh.
Pas aksidentit, qeveria indiane tha se “Air India” kishte regjistruar një rritje të lehtë të pilotëve që morën leje sëmundjeje në të gjitha flotat. Kompania iu drejtua pilotëve me një aplikacion për mirëqenie mendore, sipas Reuters. “Air India” nuk ka dhënë koment.
Në nëntor, ish-piloti i “Alaska Airlines”, Joseph David Emerson, u dënua me kohën e kaluar në paraburgim dhe tre vjet kushtimisht, pasi pranoi fajin për ndërhyrje në ekuipazhin e fluturimit dhe për përpjekje për të fikur motorët e një avioni pasagjerësh në vitin 2023, duke udhëtuar jashtë shërbimit në kabinën e pilotimit. Dokumentet e gjykatës tregojnë se Emerson i tha policisë se po përjetonte një krizë nervore dhe kishte marrë kërpudha psikedelike, të cilat ndonjëherë përdoren për trajtimin e depresionit. Ai refuzoi të intervistohej për këtë artikull.
“Një pilot më i mirë sot”
Kur një pilot pezullohet për një problem shëndetësor, pasojat financiare mund të jenë të ndjeshme. Pasi shpenzojnë ditët e sëmundjes, shpesh vendosen në pension invaliditeti, gjë që mund të ulë ndjeshëm të ardhurat e tyre.
Troy Merritt, 33 vjeç, pilot komercial amerikan, vendosi vullnetarisht të pezullohej në dhjetor 2022 dhe filloi të merrte medikamente pasi kuptoi se depresioni dhe ankthi kishin kompromentuar aftësinë e tij për të fluturuar në mënyrë të sigurt.
Rikthimi në kabinën e pilotimit kërkonte gjashtë muaj mbi medikamentet e stabilizuara dhe një seri testesh psikologjike dhe njohëse – disa prej të cilave nuk mbuloheshin nga sigurimi shëndetësor. Ai tha për Reuters se procesi i kishte kushtuar rreth 11.000 dollarë.
Reuters nuk mundi të verifikonte pavarësisht këtë shifër.
Komiteti i rregullave të FAA-s ka identifikuar shpenzimet e konsiderueshme nga xhepi si një pengesë kryesore që i bën pilotët të shmangin kujdesin shëndetësor. Në një raport të vitit të kaluar, komiteti vuri në dukje se mbulimi i sigurimit për diagnoza të shëndetit mendor është zakonisht i kufizuar, edhe me plane të plota.
Kur Merritt u rikthye në fluturim, ai kishte qenë i pezulluar për 18 muaj dhe jetonte me sigurimin e invaliditetit. Ai tha se pilotët nuk duhet të presin gjashtë muaj për të ribërë aplikimin për certifikatën mjekësore nëse reagojnë mirë ndaj trajtimit, dhe se FAA-ja duhet të shqyrtojë këto aplikime brenda 30 ditësh.
“Shmangia e kujdesit për shëndetin mendor hap dyert për pilotët që injorojnë shëndetin e tyre. Dhe aty lindin problemet në kabinë,” tha Merritt nga shtëpia e tij pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Los Angeles.
Merritt, i cili foli me kusht që Reuters të mos identifikonte punëdhënësin e tij, tha se është prova e gjallë se kujdesi për shëndetin mendor krijon pilotë më të mirë në të ardhmen. Pas rikuperimit, ai u trajnua për të fluturuar në avionë më të mëdhenj dhe në destinacione si Shanghai dhe Hong-Kong – fluturime të gjata që dikur i dukej shumë sfiduese.
“Sot jam një pilot më i mirë sesa isha më parë”, tha ai.




