“Alta Banka” nga Serbia është bërë pronare e re e “Stopanska Banka Manastir” (Bitola), pasi 262 aksionarë pranuan ofertën për blerje dhe shiten gjithsej 344.420 aksione, që përfaqësojnë 88,09% të kapitalit aksionar.
Banka serbe ofroi 3.777 denarë për aksion, që përbën rreth 61 euro për aksion, çmim përmes të cilit siguroi kontrollin në institucionin financiar në Maqedoninë e Veriut. Pra, blerja është bërë për rreth 21.15 milionë euro në total, përcjell INA.
Njoftimi për rezultatet e ofertës për marrjen e bankës u publikua nga përfaqësuesi i “Alta Banka” në vend, avokati Aleksandar Kralevski. Oferta kërkonte shitjen e të paktën 273.795 aksioneve, ose 70,03% të totalit prej 371.538 aksioneve me të drejtë vote — një prag që u tejkalua dukshëm.
Me blerjen e shumicës së aksioneve, “Alta Banka” e Beogradit, së bashku me personat e lidhur, tani zotëron 93,2571% të aksioneve të bankës në Maqedoninë e Veriut. Si pasojë, institucioni financiar do të kalojë në riemërtim.
Sipas variantit të ri të propozuar të Statutit, që do të votohet në Asamblenë e Aksionarëve më 12 dhjetor, banka do të funksionojë zyrtarisht me emrin “ALTA banka AD Bitola”. Emri do të përdoret edhe në formë latine si “ALTA banka AD Bitola”, ndërsa shkurtesa zyrtare do të jetë “ALTA banka”.
Në arsyetimin e ndryshimeve statutore thuhet se ato janë të nevojshme për harmonizimin e aktit më të lartë juridik me strukturën e re të pronësisë, por edhe për përputhje me ndryshimet në Ligjin për bankat.(INA)






