Më 28 dhjetor, qytetarët e vendit do të dalin sërish në kutitë e votimit për të marrë pjesë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Një nga pyetjet që shtron kjo zgjedhje është nëse duhet të përfshihen emra të rinj në listat e kandidatëve
Nëse partitë politike do të bëjnë hapa përpara dhe do të inkurajojnë rinovimin e listave, kjo mund të jetë një mundësi për të promovuar liderë të rinj, me ide të freskëta dhe të gatshëm për t’u përballur me sfidat e kohës.
Analistët janë të mendimit se këto zgjedhje do të sjellin ndryshime të dukshme, veçanërisht në përbërjen e listave të kandidatëve, dhe se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për të shmangur përsëritjen e bllokadës dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve të shtetit.
Qarri: Zgjedhjet e reja, shpresa për ndryshimin e skenës politike në Kosovë
Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se votuesit e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, për të shmangur një tjetër bllokadë dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve, duke pasur parasysh interesat e qytetarëve dhe të shtetit.
“Fatkeqësisht, ndasitë e thella politike dhe përçarjet e papajtueshme partiake, për mbi 9 muaj me radhë e kanë mbajtur peng gjithë shtetin e Kosovës, dhe kanë bllokuar me qëllim krijimin e institucioneve shtetërore, andaj pasi që partitë parlamentare nuk arritën asnjë marrëveshje dhe mbajtën në fuqi ngërçin politik deri te dështimi përfundimtar i gjithë procesit për formimin e institucioneve të reja legjitime të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, bllokada gati njëvjeçare, përveçse dëmtoi rëndë imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vërtetoi edhe njëherë papjekurinë totale të partive me sjellje amatore, veprimet e të cilave detyruan vendin që brenda një vitit të shkojë për të katërtën herë me radhë në zgjedhje.
Duke shpresuar se votuesi i emancipuar i Kosovës, tanimë i njeh bllokuesit e vërtetë të institucioneve të vendit, ata të cilët rrezikuan edhe funksionalitetin e shtetit, duke mos votuar buxhetin as marrëveshjet ndërkombëtare me çka ndikuan drejtpërsëdrejti edhe në humbjen e qindra miliona eurove, të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën, kësaj radhe duhet të dëshmojnë kujdesin e nevojshëm dhe medoemos ta spastrojnë situatën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, në mënyrë që mos të përsëritet më precedenti i bllokadës mbi 9 mujore, nga partitë e inkriminuara, të cilat për inate nuk ngurruan ta vështirësojnë edhe jetën e qytetarëve dhe vënë në rrezik sigurinë e shtetit, duke i vënë interesat personale dhe ato grupore, para mirëqenies së qytetarëve dhe interesave madhore të Republikës së Kosovës!”, ka thënë ai.
Tutje, Qarri ka kritikuar ashpër përfshirjen e emrave të rinj në politikë, duke theksuar se disa individë, si Abdixhiku dhe të tjerë, kanë larguar kuadrot më të shquara të LDK-së, si Faton Bislimi, që ka arritur nivele të larta akademike, dhe kanë futur në parti persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar.
Ai ka theksuar se kjo politikë e përfshirjes së “emrave të rinj” ka humbur kuptimin, pasi shumica e emrave të tillë janë tashmë të njohur dhe të sprovuar në politikën e brendshme.
“Ndërsa sa u takon aderimeve dhe përfshirjes së emrave të “rinj”, derisa ka njerëz si Abdixhikiu & Co, që largojnë kuadrot më të shquar të kryesisë së partisë e të Këshillit të Përgjithshëm të LDK- si Faton Bislimi i cili ka përfunduar Universitetin Luterian të Teksasit (TLU) me notat më të mira si dhe ka kryer magjistraturën dhe doktoratën në universitetin prestigjioz të Harvardit, dhe pa asnjë kriter fusin në parti persona si Ukë Rugova, që ishte arrestuar bashkë me 7 të tjerë, për krim të organizuar, as që mund të llogaritet në rritje të votave.
Madje pas gjendjes së krijuar me bllokadën mbi 9 mujore, edhe shprehja e përfshirjes së “emrave të rinj”, pothuajse ka humb çdo kuptim, për vet faktin se në një vend të vogël si Kosova, shumica, nëse jo të gjithë emrat eminent, shumica prej tyre, janë sprovuar edhe në politikën vendore, ndërsa duke pasur parasysh akuzat për krim të organizuar dhe vendosjen në Listën e Zezë të SHBA-ve, emrat si Fatmir Limaj, Ukë Rugova, e ndonjë tjetër, as që mund të konsiderohen më risi, dhe nuk zgjojnë kureshtjen e askujt, për aq më tepër, e topitin edhe vullnetin e mbetur edhe ashtu të pakët të qytetarëve, që të marrin mundin, e të dalin serish për të votuar, për njerëz të tillë”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Qarri ka kërkuar reforma në sistemin zgjedhor, ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe përdorimin e një fjalori politik më tërheqës.
Ai ka theksuar nevojën për premtime bindëse dhe angazhime për punësime të drejta dhe mundësi më të mira për qytetarët.
“Ndryshe ngërçi mbi 9 mujor obligon institucionet përkatëse të shtetit dhe vet partitë politike për shqyrtimin serioz të mosdaljes së qytetarëve në masë të mjaftueshme në votime, identifikimin e shkaqeve dhe të mangësive, si dhe studimin e mënyrave të organizimit më të mirë, në përpjekjet e ardhshme politike, përfshi reformimin substancial të sistemit zgjedhor dhe ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes të Presidentit/es së shtetit, si dhe gjetjen e metodave më të fuqishme mobilizuese të votuesit vendor, duke filluar me ndryshimin e mënyrës së të bërit fushatë zgjedhore, përshtatjes së fjalorit politik që do të përdoret në tubime elektorale dhe shfaqjen e ofertave shumë më atraktive e premtimeve bindëse me argumente të vërtetuara për të ardhmen e sigurt të qytetarëve dhe pasardhësve të tyre, me zotime për punësime të drejta dhe krijimin e të ardhmes solide, në vendin e vet për të gjithë qytetarët”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka theksuar se për të shmangur përsëritjen e bllokadave shumëmujorë, zgjedhjet e reja parlamentare janë shpresa e vetme për ndryshim, duke reduktuar numrin e partive në Kuvend.
Ai ka shtuar se nga 28 dhjetori këto parti pritet të dalin nga jeta politike me “pensionimin e merituar”.
“Prandaj për të mos ardhur serish te përsëritja e inskenimit të bllokadave shumë mujore, përpos dëmeve në aspektin ekonomik që me ngërçin mbi 9 mujor iu shkaktuan Kosovës, zgjedhjet e reja parlamentare, mbeten shpresa kryesore për ndryshimin e skenës politike me tkurrjen e numrit të partive pjesëmarrëse në Kuvend, të cilave duke shpikur metoda nga më të ndryshmet, për ta penguar me çdo kusht krijimin e Qeverisë dhe të institucioneve tjera legjitime shtetërore, kanë dëshmuar se u mungon sensi i të vepruarit institucional duke filluar me mosvotimin (abstenimin) e procesit të verifikimit të mandateve të deputetëve dhe vazhduar me veprimin e paramenduar politik për bllokimin e krijimit të institucioneve, jo vetëm nga orekset e tyre politike por edhe shkaku i ndërhyrjes së mafioligarkëve që kanë nën domenin e tyre disa parti opozitare, të cilat jo-rastësisht u gjendën në pozicionin e opozitës, ndërsa nga 28 dhjetori pritet të dërgohen në histori, me pensionimin e merituar nga jeta politike”, ka përfunduar Qarri.
Duhanaj: Risi në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të sjellin ndryshime, si në përbërjen e listave të kandidatëve, ashtu edhe në rezultatet e subjekteve politike.

“Zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të sjellin ndryshime përmbajtjesore qoftë në përbërjen e listave të kandidatëve, qoftë edhe një rezultatet e subjekteve garuese.
Tani me pas një viti të humbur, qytetarët e Kosovës besoj janë të vetëdijshëm për identifikimin e fajtorit.
Kjo besoj që do të shpërfaqet edhe në pasqyrën apo tabelën e rezultateve zgjedhore”, ka thënë ai.
Më tej, Duhanaj ka deklaruar se një pjesë e përbërjes së listave të fundit do të ndryshojë, duke pasur risi me emra të rinj.
“Sigurisht që një pjesë e përbërjes së listave të fundit, nuk do të jetë e njëjtë. Do të ketë risi me emra të ri, gjë që partitë tashmë edhe veçse kanë filluar me prezantimin e tyre”, ka deklaruarr Duhanaj./BotaSot




