Ancelotti pas shortit të Kupës së Botës: Do të jetë shumë e vështirë

Kombëtarja e Brazilit është vendosur në një “grup të vështirë” në Kupën e Botës 2026, me Marokun, Skocinë dhe Haitin, ka thënë trajneri i Selecaos, Carlo Ancelotti, të premten mbrëma pas shortit në Uashington.

Ekipi i tij do të luajë ndeshjen e parë më 13 qershor 2026, kundër Marokut, e më pas do të ketë ndeshje kundër Haitit më 19 qershor dhe Skocisë më 24 qershor.

“Maroku ishte shumë i mirë në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku arriti në gjysmëfinale, ndërsa Brazili u eliminua në çerekfinale. Skocia ka një ekip shumë të fortë, do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë fillimisht Ancelotti për Sportv.