Qeveria izraelite miratoi buxhetin prej 205 miliardë dollarësh, reduktoi fondet për ushtrinë

Në seancën e mbajtur të qeverisë izraelite, u miratua buxheti për vitin 2026, i cili arrin në 205 miliardë dollarë, ndërsa seanca u shënua nga debati midis ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, për nevojën e rritjes së buxhetit ushtarak.

Votimi përfundoi pas një marrëveshjeje kompromisi midis ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, të cilët debatuan rreth shumës së parave që duhej ndarë për shpenzimet e mbrojtjes.

Buxheti, që arrin rreth 205 miliardë dollarë, do t’i dërgohet për leximin e parë në seancë plenare dhe diskutimeve të mëtejshme në komisionet e Knesetit, ndërsa qeveria përpiqet të miratojë ligjin para afatit që përfundon në muajin mars të vitit 2026.

Sipas marrëveshjes midis Smotrich dhe Katz, buxheti ushtarak izraelit për vitin 2026 do të jetë 34 miliardë dollarë, që është dukshëm më pak se sa kërkoi fillimisht ushtria, raporton reuters.

Smotrich kërkonte një buxhet më të vogël për ushtrinë, duke propozuar shumën 27 miliardë dollarë, ndërsa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kërkonin një buxhet prej 43 miliardë dollarë. Ministri i Financave kritikoi establimentin e mbrojtjes gjatë prezantimit të projekt-buxhetit në nëntor, duke deklaruar se kishte menaxhuar në mënyrë joefikase fondet e veta.

Shpërndarja e dakorduar bazohet në supozimin se në vitin 2026, mesatarisht vetëm 40 mijë rezervistë do të thirren në shërbim, në përputhje me udhëzimin e ministrit të Mbrojtjes për uljen e ngarkesës për rezervistët ushtarakë.

Gjatë kulmit të luftës në Rripin e Gazës, IDF aktivizoi rreth 300 mijë rezervistë, ndërsa më parë pritej që gjatë vitit 2026 të thirreshin rreth 60 mijë.