Ibrahimi: Ta keqpërdorësh protestën e UÇK-së për të shpëtuar karrierën, është veprim i ulët dhe çnjerëzor

Shkruan: Orhan Ibrahimi

Protesta është vetë thelbi i demokracisë.

Protesta e shqiptarëve është akt drejtësie. Është zëri i qytetarëve që duhet të dëgjohet me patjetër.

Të protestosh për UÇK-në hyjnore, për të shenjtën sakrificë të saj, është detyrë dhe obligim.

Por, ta keqpërdorësh këtë kauzë për të shpëtuar karrierën personale dhe politike, edhe më e shëmtuar, ta keqpërdorësh si dekor UÇK-në, dhe vuajtjet e shokëve që padrejtësisht mbahen në burgjet e Hagës, është veprim i ulët dhe çnjerëzor.

E sot, ky njeri që thërret protestë është i diskredituar moralisht, njerëzisht e kombëtarisht. Kërkon të fshihet pas flamurit të UÇK-së, ashtu si njeriu që kërkon strehë nën një çadër të cilës vetë ia ka shpuar me dhjetëra vrima. Por historia nuk gënjehet më. E vërteta del ngadalë, por sigurt. UÇK-ja nuk është skenë teatri për karrieristët e dështuar, as mburojë për mëkatarët politikë që kujtohen për të vetëm kur humbin kolltuqet. Sepse nuk është hera e parë që po e keqpërdor.

Por ti dhe të tillët si ti, harroni një gjë. UÇK-ja nuk është dekor i karrieristëve politikë, është vlerë e një kombi të tërë. Nuk është strehë, është sakrificë. Nuk është kalkulim politik, por është themeli i lirisë. Dhe kush guxon ta përdorë sakrificën e shokëve për të larë mëkatet e veta politike, nuk ka vend pranë asaj historie.

Sepse shumë shpejt historia do të pyesë:

– Çfarë dëshmove në Gjykatën Speciale për UÇK-në?
– Pse nuk protestoje për UÇK-në atëherë, kur ishe në qeveri, kur gjykoheshin Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj?
– Pse për 20 vite në qeveri nuk solle ligj për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare?
– Pse heshtje kur komandantët vriteshin, burgoseshin dhe rastet montoheshin?
– Kë mbrojte, kombin apo karrierën e lakminë?

UÇK-ja u takon vetëm atyre që e nderuan në jetë, jo atyre që sot përpiqen të fshehin fundin e tyre politik pas emrit të saj.

P.S. Me Mendi Qyrën për 28 Nëntorin!
Kundër rikthimit të hijeve të ngjarjeve të Gostivarit të ’97-ës!