Dokument: Administrata Trump thotë se Evropa përballet me “zhdukje civilizimi”

President Donald Trump speaks to reporters aboard Air Force One as he travels from Tokyo, Japan, to South Korea, Wednesday, Oct. 29, 2025. (AP Photo/Mark Schiefelbein)

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Evropa përballet me “zhdukje civilizimi” dhe ka vënë në dyshim nëse disa shtete mund të mbeten aleate të besueshme, thuhet në një dokument të ri që i kushton vëmendje kontinentit.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare prej 33 faqesh përmban vizionin e presidentit amerikan për botën dhe se si do ta përdorë fuqinë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së për të punuar drejt tij, raportoi BBC.

Trumpi e ka përshkruar dokumentin si “hartë” për të siguruar se Amerika mbetet “më e mira dhe më e suksesshmja në historinë njerëzore”.

Politikanët evropianë kanë reaguar menjëherë, me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, që ka thënë se shteti i tij nuk ka pasur nevojë për “këshilla të jashtme”.

Një Strategji e Sigurisë Kombëtare zakonisht lëshohet nga presidentët një herë në mandat. Mund të përmbajë kornizë për politikat e ardhshme dhe buxhetet, si dhe të sinjalizojë botën se ku janë prioritetet e presidentit.

Dokumenti i ri ka retorikë të ngjashme me fjalimin e Trumpit në Kombet e Bashkuara këtë vit, ku kishte kritikuar ashpër Evropën perëndimore dhe qasjen e saj ndaj migrimit.

Raporti i ri forcon pikëpamjen e Trumpit, duke bërë thirrje për rivendosje të “identitetit perëndimor”, luftimin e ndikimit të huaj, ndërprerjen e migrimit masiv dhe përqendrimin në prioritetet e SHBA-së, siç është ndalimi i karteleve të drogës.

Duke u fokusuar në Evropë, thekson se nëse trendet aktuale vazhdojnë kontinenti do të bëhej “i panjohshëm brenda 20 vjetësh ose më pak” dhe çështjet e tij ekonomike “fshihen nga e ardhmja reale e zhdukjes së civilizimit”.

“Nuk është e qartë nëse disa shtete evropiane do të kenë ekonomi dhe ushtri mjaftueshëm të fuqishme për të mbetur aleatë të besueshëm”, thuhet në dokument.

Po ashtu, akuzohet Bashkimi Evropian dhe “organet e tjera transnacionale” për kryerje të aktiviteteve që “minojnë lirinë dhe sovranitetin politik”, thuhet se politikat e migrimit po “shkaktojnë konflikte”.

Duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës, dokumenti thotë se Evropës i mungon “vetëbesimi” në marrëdhënien e saj me Rusinë.

Menaxhimi i marrëdhënieve evropiane me Rusinë do të kërkojë përfshirje të konsiderueshme të SHBA-së, thuhet në dokument.