Familja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, dolën me një reagim publik pas humbjes së parakohshme të këngëtarit.
Ata, përmes një postimi, falënderuan miqtë, kolegët dhe publikun për ngushëllimet dhe mbështetjen që u dhanë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Të dashur familjar, miq, kolegë, dhe të gjithë ju, publik e dashamirë të muzikës së Shpatit. Në emër të familjes sonë, ju falënderojmë nga zemra secilin prej jush për mbështetjen, ngushëllimet dhe respektin që na keni dhënë në këto ditë të rënda. Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe me mirënjohje”, kanë shkruar familjarët e artistit të ndjerë.
“Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe pikërisht për këtë arsye, kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme”, shtuan ata mes tjerash.
Komuniteti artistik u trondit së fundmi me lajmin e kobshëm për ndarjen nga jeta të artistit Shpat Kasapi.
Ai vdiq pas një sulmi në zemër, duke lënë pas familjen e tij të ngushtë, përfshirë djalin trevjeçar nga martesa e tij me Selvije Jaon.
Postimi i plotë, i reagimit të familjes Kasapi
Të dashur familjar, miq, kolegë, dhe të gjithë ju, publik e dashamirë të muzikës së Shpatit
Në emër të familjes sonë, ju falënderojmë nga zemra secilin prej jush për mbështetjen, ngushëllimet dhe respektin që na keni dhënë në këto ditë të rënda. Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe me mirënjohje.
Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe pikërisht për këtë arsye, kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme.
Buzëqeshja dhe energjia e Shpatit do të mbeten gjithmonë dritë për ne. Ju falënderojmë pafund për praninë tuaj, për fjalët e ngrohta, për lutjet dhe për respektin që i kushtuat.
Me mirënjohje të thellë,
Familja Kasapi




