Sasho Topalovski nga SPB-Shkup, në emisonin “Pretres” foli për sistemin “Qytet i Sigurt”. Topalovski theksoi se gjobat do të tërhiqen nëse shoferi ka nxituar drejt spitalit, por shtoi se do të verifikohet, përcjell TV21.
“Do të verifikojmë nëse dikush që ka vozitur me katër sinjalizuesit ndezur vërtet ka qenë duke nxituar për të shpëtuar një jetë – të vetën ose të një të afërmi. Nëse personi ka qenë duke shkuar në spital, nuk ka teori të marrë gjobë. Kjo mund të kontrollohet dhe gjoba do të tërhiqet”, tha Sasho Topalevski nga SPB-Shkup.
Ai shtoi se sistemi për “Qytet i Sigurt” është i bërë në mënyrë që asnjë incizim të mos mund të fshihet.
“Sistemi është dizajnuar që askush të mos ketë mundësi të fshijë video-incizimet. Pamjet ruhen përgjithmonë – sa saktësisht, nuk e di, një muaj apo një vit. Por nuk mund të ndodhë që ndonjë kundërvajtje të mos procesohet. Sistemi do t’i përpunojë të gjitha kundërvajtjet dhe do të dërgojë njoftim përmes emailit ose mesazhit”, tha Topalovski.






