Një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e vdekur në një banesë në provincën e Ankonës në Itali, ku dyshohet se ajo është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, i cili aktualisht është në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake autori i dyshuar nuk është paraqitur në punë që prej mëngjesit të sotëm.
Viktima S.M gjatë vitit të fundit kishte raportuar disa herë për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti i saj, N.M, gjithashtu 50 vjeç, me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Alarmimi u bë nga punëdhënësi i gruas, pasi ajo nuk ishte paraqitur sot në punë. Më pas, forcat e karabinierisë ndërhynë në banesën e saj, ku e gjetën të shtrirë në shtrat, e vdekur dhe me shenja të dukshme dhune brutale.
Burri, i cili tani po kërkohet nga autoritetet me akuzën e feminicidit, ishte arrestuar edhe në prill të këtij viti pas një tjetër episodi dhune ndaj gruas.
Në atë rast, duke e akuzuar për një tradhti të supozuar, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, ndërsa gruaja ishte detyruar të strehohej te fqinjët. Ajo kishte rrëfyer se prej dy vitesh ishte viktimë e dhunës fizike nga bashkëshorti.
Pas vetëm tre muajsh, në korrik, N.M pranoi një marrëveshje dënimi dhe, pas lirimit të tij, çifti ishte kthyer të jetonte sërish bashkë.(Panorama)




