Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Supreme të Republikës me një ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ditë më parë kishte miratuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte kundër hapjes së qendrave alternative të votimit për diasporën.
Sipas ankesës, të cilën e ka siguruar Telegrafi, VV kërkon që Gjykata Supreme të anulojë vendimin e PZAP-it Nr. ZP.Anr.3/2025 të datës 1 dhjetor 2025 dhe të rikthejë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të miratuar më 26 nëntor 2025.
Në dokument thuhet se me 26 nëntor, KQZ-ja kishte miratuar vendimin që përcaktonte qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrin e vendvotimeve dhe listën e hapësirave ku do të votohej në diasporë.
VV argumenton se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parashikon qartë mundësinë e votimit të shtetasve të Kosovës jashtë vendit në disa forma, duke përfshirë votimin fizik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre, të cilat shndërrohen në qendra votimi sipas kritereve të caktuara nga KQZ.
Tutje, në ankesë theksohet se ligji e definon përfaqësinë diplomatike si ambasadë, konsullatë, mision diplomatik apo mision konsullor të Republikës së Kosovës, ndërsa specifikat e qendrave të votimit jashtë vendit janë përgjegjësi e KQZ-së dhe duhet të caktohen duke u bazuar në mundësimin e pjesëmarrjes së votuesve.
VV thekson se ligji jo vetëm që nuk e ndalon, por përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në që të sigurojë hapësira të përshtatshme për votim jashtë Kosovës. Në ankesë përmenden edhe standardet ndërkombëtare dhe praktikat e vendeve të tjera që, sipas VV-së, mbështesin hapjen e vendvotimeve fizike për diasporën.
Sipas VV-së, KQZ ka vepruar në mënyrë të rregullt duke miratuar listën e propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vendvotimet në përfaqësitë diplomatike, ndërsa vendimi i PZAP-it vlerësohet si i paligjshëm dhe i bazuar në një keqinterpretim që cenon të drejtën e votës së qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
VV kërkon nga Gjykata Supreme që të mbrojë ligjshmërinë dhe të mundësojë ushtrimin e papenguar të së drejtës së votës për diasporën.






