Moscertifikimi i Listës Srpska, Hargreaves: Po rrezikohet imazhi i Kosovës si demokraci shumetnike

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar ashpër pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi listën Srpska për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai tha se është “seriozisht i shqetësuar” me përpjekjet e disa akterëve politikë për të penguar pjesëmarrjen e Srpska Listës në proceset zgjedhore, duke paralajmëruar se veprime të tilla e dëmtojnë reputacionin që Kosova e ka ndërtuar si një demokraci shumetnike dhe ndikojnë negativisht në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Srpska të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si demokraci shumëetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, shkroi Hargreaves.

Hargreaves shprehu pritjet që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ta vlerësojë sërish kërkesën e Listës Srpska në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës.