Mjeku shqiptar nga Kumanova kryen transplantin e 400-të të zemrës në Gjermani

Një arritje e madhe në mjekësinë gjermane mban firmën e një shqiptari. Dr. Bedri Ramadani, kardiokirurg me prejardhje nga fshati Vaksincë i Komunës së Likovës, ka realizuar transplantin e 400-të të zemrës në Klinikën Universitare të Dyseldorfit (Düsseldorf), duke shënuar një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e këtij institucioni.

Operacioni i kryer kohët e fundit vjen si kulm i një karriere mbi dy dekada në kardiokirurgji, ku dr. Ramadani njihet si një nga specialistët më të suksesshëm të zemrës në Gjermani.

Prej Kumanovës deri në zemrën e Evropës

Dr. Ramadani i kreu studimet e para në Kumanovë, ndërsa fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Rijekës, Kroaci. Karrierën e tij e vazhdoi në Gjermani, ku në vitin 2005 përfundoi specializimin në kardiokirurgji.

Ai ka punuar për vite me radhë në Qendrën e Sëmundjeve të Zemrës në Duisburg dhe më pas u transferua në Klinikën Universitare të Dyseldorfit, ku vazhdon të jetë pjesë e ekipit elitar të kardiokirurgëve.

Mbi 7.000 operacione të kryera

Gjatë karrierës së tij, dr. Ramadani ka realizuar:
• mbi 7.000 operacione në zemër,
• rreth 80 transplante të zemrës,
• dhjetëra ndërhyrje të avancuara që e bëjnë atë një ndër kardiokirurgët më me ndikim në Gjermani.

Transplanti i 400-të i kryer në Dyseldorf konsiderohet një sukses i madh mjekësor dhe organizativ, ndërsa pjesëmarrja e dr. Ramadanit në këtë moment historik është vlerësuar lart në qarqet mjekësore gjermane.

Nuk harron rrënjët

Pavarësisht suksesit ndërkombëtar, dr. Ramadani ka mbetur i lidhur ngushtë me vendlindjen. Ai njihet për ndihmën dhe përkrahjen që u jep shqiptarëve, si në Gjermani ashtu edhe në rajonin e Kumanovës, duke ofruar konsulta, udhëzime mjekësore dhe mbështetje humane sa herë i kanë nevojë.

Ky sukses i një mjeku shqiptar tregon edhe një herë potencialin dhe kontributin e profesionistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.