Nga mesi i muajit shtator ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi për uniforma të reja për policinë e rregullt. Si dizajn, ashtu edhe si mall i ri që duhet të blihet përmes një tenderi, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
“Do duhet të blihen uniforma për policinë për më shumë se 7.000 persona. Pse? Sepse duam t’i ribrendojmë ato, kjo, domethënë për ata që i shihni këtu, duam që nëpunësit e policisë të kenë një uniformë dinjitoze, normale, me cilësi të lartë dhe të re”, tha atëkohë Toshkovski.
Një javë më vonë, më 22 shtator, Ministria e Punëve të Brendshme e shpalli tenderin dhe i ftoi të gjitha palët e interesuara që të marrin pjesë. Dy muaj më vonë, më 19 nëntor, në katin e katërt të ndërtesës numër 5 në kompleksin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup u bë hapja e ofertave. Procesin, të cilin nuk është e lejuar të filmohet, krahas “360 gradë” e ndoqën edhe përfaqësuesit e të tre kompanive që konkurruan.
Prokurimi është i ndarë në katër kategori të veçanta:
- Xhaketë dimërore me vatë
- Uniformë për në terren
- Këpucë
- Çizme

Për xhaketat ofertuesit e interesuar duhej ta përmbushnin kushtin që të kenë të paktën 50 punonjës në prodhim. Për uniformën për në terren, kjo shifër është caktuar në 100 punonjës. Ndërsa, si për ta ashtu edhe për të tjerët…
“Përveç kësaj, në pesë vitet e fundit, ofertuesit duhet të kenë bërë të paktën një dorëzim mallrash të të njëjtit lloj ose të ngjashme, me vërtetim për realizim. Përveç kërkesave teknike, ofertuesit duhet të ofrojnë edhe një garanci për realizim cilësor të kontratës në shumën prej 5 përqind dhe një deklaratë për seriozitet të ofertës”, thuhet në specifikimin teknik.
Kjo, ndër të tjera, do të thotë se kriteret për kompanitë që donin të ofronin këpucë ose çizme janë më të ulëta. Ato, ashtu si të tjerat, duhet të kenë një marrëveshje paraprake dhe një sërë kushtesh të përgjithshme – të mos kenë asnjë borxh ndaj DAP-it, të mos kenë kryer ndonjë vepër penale dhe të mos jenë në fazë falimentimi.

Për tenderin aplikuan pesë kompani. Katër nga Shkupi dhe një nga Ohri.
“Neni Kompani”, “Megasport”, “Mikei International”, “Lejers VF” – Ohër dhe “Kameks”. Nga këto vetëm “Neni Kompani” dhe “Megasport” dorëzuan oferta për të katër kategoritë. “Mikei International” konkurroi vetëm në dy kategori, “Lejers VF” dorëzoi ofertë vetëm për xhaketa, ndërsa “Kameks” dorëzoi ofertë vetëm për çizme. Sipas çmimeve të ofruara fillimisht “Neni Kompani” dha çmimin më të ulët për xhaketat, rreth 1,29 milion euro, si dhe për çizmet rreth 1,7 milion euro. “Mikei International” e kishte çmimin më të ulët për uniforma për në terren, rreth 3,6 milionë euro, ndërsa “Megasport” për këpucët – rreth 1,12 milionë euro. Kjo nuk do të thotë asgjë sepse tani do të mbahet një ankand elektronik, ku pritet që çmimi të bjerë.

Po cilat janë kompanitë që aplikuan në këtë thirrje? Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror disa nga kompanitë tashmë kanë fituar edhe më parë tenderë nga MPB-ja, ndërsa disa janë relativisht të reja në treg.
Vitin e kaluar “Neni Kompani” ka pasur të ardhura prej rreth 3 milionë eurosh. Në llogaritë e tyre vjetore ata kanë raportuar një numër mesatar prej 34 punonjësish. Ata kanë përvojë me prokurime shtetërore, ku bëjnë pjesë tenderët për uniforma për Drejtorisë së Doganave, si dhe një tender për këmisha për nevojat e MPB-së në vitin 2021.
“Mikei International” vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 3,8 milionë eurosh dhe një numër mesatar punonjësish – 47. Kur bëhet fjalë për uniformat për MPB-së në vitin 2020 ata e kanë fituar tenderin për prodhimin e veshjeve për njësitë speciale me vlerë prej pak më shumë se një milion euro.
Përvojë me MPB-në ka edhe “Megasport”, që në të kaluarën e ka furnizuar policinë dhe forcat speciale me çizme. Në vitin 2024 ata kanë raportuar të ardhura prej 3,1 milionë eurosh, ndërsa numri mesatar i punonjësve është 88.
“Kameks”, e cila konkurroi vetëm për çizme, ku nuk kërkoheshin kushte të rrepta, është një kompani e vogël që vitin e kaluar ka regjistruar të ardhura prej rreth 50.000 eurosh dhe një mesatare prej vetëm dy punonjësish.
Për “Lejers VF” nga Ohri nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht për veprimtarinë e saj, pasi në vendin tonë është regjistruar më 31 dhjetor të vitit të kaluar.

Ky prokurim, i cili me çmimet më të ulëta aktuale do të kushtojë rreth 8 milionë euro, po bëhet rreth shtatë muaj pas përfundimit të marrëveshjeve kornizë për prokurimin e uniformave për njësitë speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vlera e tyre e përgjithshme potenciale ishte 3,8 milionë euro, ndërsa atë e fituan dy kompani, secila për një pjesë të prokurimit.
Kjo procedurë fitoi vëmendjen e publikut pas shkrimeve në “360 Gradë” – se për shkak të mungesës së kushteve të veçanta, prokurimi publik iu nda kompanive pa portofol dhe përvojë të dëshmuar. Një nga fituesit ishte “Le Brand Design”, një studio e vogël mode për femra nga Manastiri me të ardhura vjetore prej rreth 20 mijë eurosh dhe me mesatarisht dy punonjës në vitin 2024.

Fituesi tjetër, “Pamitex”, është një kompani që u regjistrua në vend vetëm tre javë para shpalljes së tenderit, e pronarët e së cilës lidhen me kompaninë “Team Traders Company” nga Beogradi, Serbi.

“Pas informacionit dhe dyshimeve tuaja publike, i thirra këtu pronarët e të dy kompanive dhe u thashë se sipas asaj që kam si informacion, nuk ka paligjshmëri në veprimet e MPB-së. Ato nuk mund të përcaktohen, unë nuk mund t’i shoh, por nëse konstatohet ndonjë paligjshmëri në pjesën e veprimit të tyre, unë do të jem maksimalisht i përqendruar në gjetjen e saj”, tha Toshkovski.
Dyshime shtesë ngriti fakti që, sipas planit për prokurime publike, procedura e tenderit për uniformat për forcat speciale duhej të fillonte në shtator. Ndërsa tenderi u shpall në dhjetor. Nëse tenderi do të ishte shpallur në shtator, tetor, apo edhe në gjysmën e parë të nëntorit, fituesi i mëvonshëm “Pamitex” nuk do të mund të merrte pjesë në të, sepse ato në atë kohë nuk ekzistonin.
“Unë jam ministër i punëve të brendshme, në kuadër të Qeverisë kemi siguruar fonde për uniforma, kemi konstatuar nevojën për prokurimin e parë, kemi siguruar një procedurë, i kemi ftuar të gjithë dhe ju më pyetni se si dikush ka themeluar një kompani tre muaj më parë. Le të jenë tre ditë, sipas informacionit që e kam, e njëjta kompani serbe më parë furnizonte me uniforma të njëjtën ministri përmes palëve të treta. E njëjta kompani“,
tha Toshkovski.
Ne u drejtuam edhe në MPB për të parë nëse ka filluar zbatimi i marrëveshjes kornizë me “Pamitex” dhe “Le Brand Design”, pra nëse policia ka porositur uniforma prej tyre dhe në çfarë sasie. Ata na u përgjigjën se deri më tani janë lidhur shtatë kontrata – porosi, dhe atë katër me “Pamitex” dhe tre me “Le Brand Design”.
“Nga personi juridik “Pamitex” janë porositur mbi 8.500 copë pajisje me vlerë prej rreth 458.000 euro për Policinë Intervente, 3.400 copë me vlerë prej184.000 euro për Njësinë Speciale “Tigrat”, 3.800 copë uniformë me vlerë prej rreth 246.000 euro për Njësinë e Trajnimit dhe Mbështetjes, dhe 349 xhaketa taktike me vlerë prej 32.000 euro për Njësinë e Intervenimit të Shpejtë”, u përgjigjën nga atje.
Gjithsej “Pamitex” ka marrë porosi me vlerë prej 921.000 euro, ndërsa tre porositë për “Le Brand Design” përfshijnë:
“Për Njësinë e Trajnimit dhe Mbështetjes janë porositur komplete multikam me vlerë prej 195.000 euro, për njësitin “Tigrat” uniformë multikam me vlerë prej 194.000 euro, ndërsa për NjISh mbi 6.800 copë të më shumë artikujve me vlerë prej 342.000 euro”, deklaruan nga ministria.
Ose gjithsej 732 mijë euro.
Por, përveç çmimeve dhe sasive, nga MPB-ja kërkuam që t’i shihnim edhe uniformat ose të na japin një foto të etiketave – ku dhe kush i ka prodhuar ato. Për këtë kërkesë tonën, përgjigjja e tyre thoshte:
“Shënimi, ose më saktë etiketat e uniformave, janë në përputhje me ofertën teknike të dorëzuar në procedurën për prokurimin e uniformave për policinë speciale, dhe se në uniformat nga “Pamitex” janë “Pamitex” dhe në uniformat nga “Le Brand Design” janë nga “Le Brand Design”. Për momentin nuk mund t’ju dërgojmë foto dhe informacion për uniformat sepse porositë e lartpërmendura u nënshtrohen afateve të dorëzimit”, thonë nga MPB.
Pak a shumë të njëjtat pyetje që is dërguam MPB-së ua dërguam edhe kompanive “Le Brand Design” dhe “Pamitex”. Përgjigje nde nuk ka.
Dhe, sigurisht, do të duhet ta presim vendimin – kush dhe për sa para do t’i veshë njësitë e rregullta të policisë.




