Rrugët e vendit po integrohen në një sistem modern dhe inteligjent të quajtur “Safe City”, me qëllim të parandalohen aksidentet dhe të rikthehet rendi në trafikun rrugor. Kështu duket paralajmërimi i gjobës së marrë në SMS.
“Prej sot janë në funksion kamerat e vendosura nga sistemi “safe city”. Gjatë këtij muaji nuk do të ketë gjoba por vetëm paralajmërime. Në kamera përveç se identifikoheni nëse vozisni me shpejtësi të lartë, ose kaloni në semafor te kuq, njëkohësisht do të vërtetohet edhe nëse parkoheni në mënyrë të parregullt”, raporton Fazile Halili, gazetare.
Në periudhën fillestare, në shkeljet e trafikut do të regjistrohet edhe leja e trafikut e skaduar, ndërsa në fazën tjetër të projektit është planifikuar të zgjerohet lloji i shkeljeve të trafikut.
Nga MBP njoftojnë se për kundërvajtjet që do të dokumentohen, do t’i dërgojnë mesazh pronarit të automjetit me të cilin është përcaktuar shkelja e trafikut. Mesazhi do të dërgohet në numrin e telefonit celular dhe adresën e email-it që pronari i automjetit i ka dhënë gjatë regjistrimit të automjetit.
“Nëse kryesi pranon përgjegjësinë për kundërvajtjen e kryer brenda tetë ditëve nga data e marrjes së Raportit të Shkeljes së Rrugës me një urdhër pagese për kundërvajtje, ai do të paguajë gjysmën e gjobës së vendosur, nëse afati tetëditor për pagesën e gjysmës së gjobës së vendosur ka skaduar, ai do të jetë në gjendje të paguajë të gjithë shumën e gjobës së vendosur, jo më vonë se tetë ditë pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës së gjobës së vendosur, dhe para procedurës së zbatimit”, tha Goce Andreev, MPB.
Por, në rast se një shtetas i huaj kryen shkelje në vendin tonë, ose shtetasi i Maqedonisë së Veriut largohet jashtë vendit, ai është i detyruar të paguajë gjobën e shqiptuar menjëherë, dhe më së voni brenda tetë ditëve nga data e marrjes së raportit për kundërvajtje rrugore me urdhër pagese. Nëse shkelësi nuk e ka paguar gjobën, Ministria e Brendshme do ta paraqesë atë te organi kompetent për pagesë me detyrim.




