Këshilli komunal i Strugës akoma pa kryetar. Kjo për shkak të mosmarrëveshjeve mes VMRO DPMNE-së dhe VLEN-it. Partia e Mickoskit nuk heq dorë nga kjo pozitë. Nga atje thonë se nëse deri më 3 dhjetor kur duhet të miratohet buxheti, nuk e marrin pozitën e kreut të Këshillit, atëherë do të largohen nga koalicioni me VLEN-in në nivel lokal.
“Kur të krijohen kushtet për shumicë dhe për zgjedhjen e kryetarit, atëherë do të realizohet”, tha Mite Stevoski – këshilltar i VMRO DPMNE-së.
Edhe nga VLEN-i në Strugë për Alsat thonë se për momentin nuk ka marrëveshje. Ende nuk janë ulur në një tryezë të përbashkët, por shpresojnë që shumë shpejt të ketë ndonjë zgjidhje. Nëse jo, thonë se janë të përgatitur të shkojnë në zgjedhje të parakohshme në Strugë”.
Sipas këshilltarit të LSDM-së, Dimçe Shipinkaroski, problemi është politik, ndërsa përgjegjësia është te ata që e kanë formuar koalicionin dhe e kanë marrë drejtimin e komunës. Ai thotë se pozicioni i LSDM-së është i qartë , mbështesin një proces politik që është transparent, parimor dhe i arsyetuar publikisht, dhe se ata nuk do të marrin pjesë në marrëveshje të bëra fshehurazi, pa program të qartë dhe pa përgjegjësi ndaj publikut. Nëse deri në mars nuk votohet buxheti për vitin 2026, atëherë ligji parasheh zgjedhje të reja për këshilltarë. VMRO DPMNE dhe VLEN në Këshillin e Strugës Bashkë kanë 10 këshilltarë. /Alsat.mk
Maqedoni VMRO dhe VLEN larg marrëveshjes për qeverisje në Komunën e Strugës






