Ndryshimet kushtetuese janë detyrim i marrë dhe sigurisht që mbi to duhet të punohet. Këtë e deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili praktikisht e konfirmoi atë që në intervistën për TV21 e tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler. Jozyrtarisht po punohet për përgatitjen e një protokolli të tretë për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë, çka së fundmi e konfirmoi edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, dhe për të cilin tha se në atë protokoll do të kërkohen garanci që në rrugën drejt Bashkimit Evropian vendi të mos bëhet sërish peng i mosmarrëveshjeve bilaterale. Murtezani tha se fillimisht do të përqendrohen për përmirësimin e marrëdhënieve, e vetëm pastaj do të flitet për protokollin e tretë.
“Sigurisht që për ndryshimet kushtetuese duhet të punohet. Ai është detyrim i marrë pa të cilin nuk ka hapje negociatash dhe nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo, siç theksova, në këtë moment ne nuk mund të flasim për proces të ndryshimeve kushtetuese kur të gjitha shqetësimet apo dilemat tona nuk janë adresuar siç duhet. Dhe që të adresohen, duhet të vendoset dialog i rregullt, të rikthehet besimi mes dy vendeve fqinje që të mund, në mënyrë evropiane, të ndërtojmë të ardhme të përbashkët evropiane”, tha Orhan Murtezani – ministër për Çështje Evropiane.
Ambasadorja Aggeler në emisionin Click Plus në TV21 tha, u shpreh e bindur se po punohet për ndryshimet kushtetuese.
“Jam njëqind për qind e sigurt se po punohet për ndryshimet kushtetuese. E di që po punojnë shumë në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera evropiane për të gjetur një zgjidhje. Mund t’ju them se po zhvillohen bisedime që po shtrijnë rrugën. Nuk e di nëse është efektive apo jo, sepse nuk jam në Bruksel”, pohoi Angela Aggeler – Ambasadore e SHBA-së.
Për integrimin evropian të Maqedonisë foli edhe ministrja për Çështje Evropiane e Suedisë, Jessica Rosenkranz, në konferencën e përbashkët për media me ministrin Murtezani. Ajo theksoi se ndryshimet kushtetuese janë kyçe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mendoj se pasi të realizohen ndryshimet kushtetuese, pres me padurim të fillojmë negociatat formale të anëtarësimit dhe në këtë drejtim e inkurajoj Maqedoninë e Veriut të shtyjë përpara përpjekjet reformuese me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare. Reformat që lidhen me sundimin e ligjit, pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit dhe parandalimin e korrupsionit janë të një rëndësie kritike”, theksoi Jessica Rosenkranz – ministre për Çështje Evropiane e Suedisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski që në shtator të këtij viti theksoi se janë të mundshme disa aktivitete dhe lëvizje lidhur me ndryshimet kushtetuese pas festave të Vitit të Ri dhe se pret ndryshime në pjesën e marrjes së garancive nga partnerët evropianë. Ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, dorëzoi një rezolutë për vijat e kuqe të vendit në negociata, por nga pushteti kjo u refuzua.




