Përmes vizitës në varrezat e qytetit, në përkujtim të viktimave të tragjedisë së fundit, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas e filloi vizitën në Koçan, transmeton Portalb.mk.
“Koçani ka treguar forcë në një vit të shënuar nga humbje shkatërruese. Sot erdhëm mbi të gjitha për të dëgjuar dhe për të qëndruar me komunitetin. Angazhimi i familjeve, përkushtimi i institucioneve lokale dhe energjia e të rinjve këtu janë të qarta. Bashkimi Evropian do të mbetet një partner i besueshëm ndërsa Koçani vazhdon të shërohet dhe të ecë përpara.”, deklaroi ambasadori Rokas.
Në takim me dyer të mbyllura, u diskutua me shoqatën e prindërve të viktimave “16 mars 2025” dhe të mbijetuarit e tragjedisë.
“Vizita filloi në varrezat e qytetit, ku ambasadori Rokas dhe ekipi i tij vendosën lule në kujtim të 63 viktimave në zjarrin tragjik që ndodhi më 16 mars 2025”, sqaroi Delegacioni i BE-së, duke sqaruar se
Kjo ishte vizita e parë komunale pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ku u takua edhe me kryetarin e ri, Vlladko Grozdanov, dhe këshilltarët e Këshillit Komunal.
“Gjatë takimit me Këshillin Komunal u shkëmbyen pikëpamje me këshilltarët e sapo-zgjedhur mbi shërbimet publike, qeverisjen lokale dhe bashkëpunimin me nismat e financuara nga BE-ja”, deklaruan nga Delegacioni.
Në këtë vizitë u përkujtuan edhe nismat dhe projektet e mbështetura nga BE-ja, ndërsa planifikohet edhe funksionalizimi i ujërave termal, ndërkohë premtoi edhe një Europe House të re në këtë komunë.
Familjet e 63 viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit “Puls” kërkojnë drejtësi për jetën e ndërprerë të të dashurve të tyre dhe për dhimbjen e shkaktuar të lënduarve dhe të gjithë atyre që u prekën nga ngjarja tragjike.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.




