Kallëzim penal ndaj ish ministrit të Bujqësisë Lupço Nikollovski për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kallëzimi është dorëzuar nga ministri aktual Cvetan Tripunovski, i cili pa dhënë detaje, tha se kallëzimet do të tregojnë çfarë krimi është kryer në Ministri, por edhe në Agjencinë Pagesore për Bujqësi, e cila së fundmi u përfshi në skandalin me fondet evropiane, IPARD 3.
“Sa i përket asaj që po bëhet në kontrollin e agjencisë, besoj se do të dalin shumë veprime të paligjshme që janë kryer në Agjenci në kohën e tyre, por le të lëmë kohën të tregojë për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Sa i përket punës së Nikollovskit, vetëm të theksoj se janë dorëzuar disa kallëzime penale për keqpërdorim të pozitës së tij, shkelje të ligjeve dhe dëmtim serioz të buxhetit të shtetit”, deklaroi Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë.
Nga Prokuroria për Alsat konfirmuan se kallëzimet janë pranuar dhe se tashmë po ndërmerren veprime.
“Këto kallëzime së fundmi u pranuan nga Prokuroria Themelore Publike dhe prokurori tashmë po vepron mbi to. Rasti është në hetim paraprak dhe në këtë moment nuk mund të ndahen më shumë informacion me publikun”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
E gjithë kjo vjen pas arrestimit të Ilija Stoilov, ish-drejtor i Agjencisë së Pagesave për Bujqësi, i akuzuar për marrje ryshfeti për një projekt nga programi IPARD-3, i cili ndërkohë është pezulluar, dhe të gjitha kontratat janë subjekt i revizionit. LSDM-ja dhe ish ministri Nikollovski akuzonin se kjo rrezikon realizimin e të gjithë programit IPARD-3, respektivisht që mijëra kontrata të bujqve mund të dështojnë, dhe kritikuan veprimtarinë e Ministrisë. Pushteti mohon se pagesa e subvencioneve është vënë në pikëpyetje, ndërsa sot ministri Tripunovski theksoi se nga 453 kontrata të nënshkruara në programin IPARD-3, në 289 prej tyre tashmë janë kryer pagesa ndaj fermerëve. /Alsat/






