Maqedonia e Veriut, si dhe shumë vende në Evropën Juglindore, përballet me sfida serioze që kanë të bëjnë me migrimin. Sipas vlerësimeve statistikore numri i shtetasve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit në dekadën e fundit është rritur ndjeshëm dhe sot tejkalon 30% të popullsisë së përgjithshme – më shumë se 700.000 njerëz, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Sipas Factsheet Dossier: Diaspora Engagement – Western Balkans and Europe të Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit (dhjetor 2022) diaspora e Maqedonisë numëron 693.896 persona, që përfaqëson rreth 25% të popullsisë. Nga këta, 38,4% jetojnë në shtetet anëtare të BE-së, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali. Jashtë BE-së komunitetet më të mëdha janë në Australi, SHBA dhe Kanada.
Strategjia Kombëtare për Diasporën
Si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të emigrantëve Maqedonia po përgatit një Strategji Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, prezantoi draft tekstin e strategjisë si një plan pesëvjeçar për zhvillimin e partneritetit me diasporën. Mucunski theksoi se strategjia përfaqëson një qasje sistemike, e jo masa ad-hoc:
“Kjo strategji do të thotë një administratë moderne, digjitale dhe e besueshme, duke krijuar një sistem, e jo improvizim.”
Strategjia thekson se diaspora është një faktor i rëndësishëm ekonomik dhe social. Përveç remitancave, shumë emigrantë kanë të ardhura të larta dhe janë të gatshëm të investojnë në biznese të vogla dhe të mesme, pasuri të patundshme dhe projekte sociale.
Oficerë për lidhje dhe deputet special për diasporën
Komunitetet e Maqedonisë jashtë vendit janë bartëse të kulturës dhe identitetit, të organizuara përmes klubeve kishtare, kulturore dhe sportive. Prandaj, Qeveria duhet të miratojë një paketë për mbështetjen e diasporës përmes programeve të kthimit, investimeve dhe komunikimit të qartë.
Në këtë Strategji përmendet një program i posaçëm qeveritar për riintegrimin e të kthyerve, për ata që duan të kthehen dhe përsëri të kyçen në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit. Plani është të prezantohen “oficerë për lidhje” nëpër komuna, të cilët do të veprojnë si urë lidhëse mes diasporës dhe organeve të pushtetit qendror, ndërsa Qeveria gjithashtu do mund të emërojë një “deputet special për diasporën”.
Dimensioni ekonomik dhe potenciali
Roli ekonomik i diasporës është thelbësor. Të hyrat nga emigrantët arrijnë nga 4% deri në 10% të BPV-së, duke e bërë atë një nga burimet më të qëndrueshme të mjeteve devizore. Edhe pse ka iniciativa për përfshirjen e diasporës në programet e investimeve dhe startup-eve, realizimi i tyre është i kufizuar. Por, potenciali për investime kthyese dhe bashkëpunim ekonomik është i madh.
Për t’i kuptuar më mirë nevojat e diasporës, “Maqedonia 2025” realizoi një anketë globale online (korrik-shtator 2025) nëpërmjet SurveyMonkey. Nga shtetasit e Maqedonisë në më shumë se 50 vende u mblodhën 1.436 pyetësorë të plotësuar plotësisht.
Rezultatet kyçe janë se disa emigrantë përballen me pengesa administrative dhe qasje të kufizuar në shërbimet digjitale. Vihet re një gatishmëri e lartë për të marrë pjesë në nisma zhvillimore dhe investitore, nëse ka mekanizma të qarta komunikimi.
Faktorët për kthim dhe investim
Pothuajse gjysma e të anketuarve do ta konsideronin kthimin në Maqedoni për një periudhë më të gjatë se një vit, ndërsa 24% thonë se kjo është shumë e mundshme. Parakushtet kryesore janë institucionet e qëndrueshme, administrata transparente dhe mundësitë ekonomike.
Faktorët që do ta inkurajonin kthimin ose investimin janë stabiliteti ekonomik dhe politik, sundimi i ligjit, burokracia e reduktuar, qasja në informacion dhe mbështetje institucionale, si dhe kushtet e favorshme tatimore.



