SHBA godet përfundimisht industrinë serbe të naftës, Vuçiq: Rafineria mbyllet në fundjavë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se shteti nuk ka marrë sinjal nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), dhe se rafineria do të mbyllet të shtunën ose të dielën.

“Ne të shtunën ose të dielën dalim nga ‘ecja e qetë’. Atëherë, me shumë gjasë, rafineria duhet të mbyllet. Nuk kemi marrë sinjal nga SHBA-ja se do të marrim licencën për të rinisur prodhimin e derivateve të naftës. Por çfarë të bëjmë”, tha udhëheqësi serb në një paraqitje të përbashkët me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Ai tha se, bazuar në informacionet që disponon Beogradi, OFAC ishte në pritje të miratonte dhënien e licencës, por vendimi ende po pritet nga Departamenti i Shtetit, raporton nova.rs.

“Ende nuk ka një vendim. Kjo na vë në një pozitë të vështirë. Jemi të përgatitur. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen as për ngrohjen, as për energjinë elektrike, as për pikat e karburantit. U kemi thënë që të na japin kohë që t’i japim kohë pronarit të vërtetë të shesë pronën e tij, dhe keni garancitë tona se gjithçka do të jetë ashtu siç keni kërkuar. Nëse kjo nuk ju mjafton, atëherë kam frikë se pas gjithë kësaj fshihen gjëra të tjera”, deklaroi Vuçiq.

Ky i fundit kujtoi se sot është dita e pesëdhjetë që asnjë litër nafte nuk ka kaluar nëpër naftësjellësin e Janaf-it, por se askush në Serbi nuk ka ndier apo parë asnjë problem.

Ndryshe, NIS u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së më 10 janar për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, pra pronësisë me shumicë ruse.

Sanksionet e SHBA-së synojnë, ndër të tjera, parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë, përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.