Institucionet shtetërore të RMV-së do të kryejnë transaksione përmes SEPA-s nga dhjetori

Nga 9 dhjetori, shteti dhe institucionet do të mund të bëjnë dhe të pranojnë pagesa në euro sipas standardeve të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) më shpejt, më sigurt dhe me tarifa më të ulëta e fikse, njoftoi Banka Popullore pasi guvernatori Trajko Slaveski nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Bordit Drejtues të NLB Ljubljana, Blazh Brodnjak, dhe me anëtarin e bordit Antonio Argir, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja i mundëson Bankës Popullore të Maqedonisë të fillojë me pagesa përmes SEPA-s.

“Në vend të kostos mesatare prej 14 eurosh për pagesat përmes bankave korrespondente, pagesat përmes SEPA-s do të kushtojnë 3 euro për urdhërat elektronikë dhe 5 euro për urdhërat në letër, ndërsa të gjitha hyrjet përmes SEPA-s do të tarifohen 3 euro. Duke pasur parasysh që 80% e të gjitha pagesave dalëse dhe 90% e të gjitha hyrjeve të shtetit janë në euro, tarifat më të ulëta do të mundësojnë kursime të drejtpërdrejta për shtetin dhe institucionet shtetërore. Pas anëtarësimit të vendit tonë në SEPA, çka tashmë u mundëson qytetarëve dhe kompanive pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira në euro, Banka Popullore si bankë e shtetit po u mundëson edhe institucioneve shtetërore t’i shfrytëzojnë përfitimet e SEPA-s”, thanë nga Banka Popullore.

Kërkesa për aderim në SEPA është parashtruar më 10 korrik 2024, ndërsa aplikimi u pranua më 6 mars 2025 nga ana e Këshillit Evropian të Pagesave për përfshirje në SEPA, me ç’rast bankave vendase u mundësohet edhe përfshirja në skemat e pagesave në euro. Bëhet fjalë për rajonin që përfshin 41 vende të Evropës.

Aplikimi i Maqedonisë së Veriut u pranua nga Këshilli Evropian i Pagesave më 6 mars të këtij viti, duke zyrtarizuar kështu anëtarësimin në SEPA.

Transaksionet e para përmes SEPA-s në RMV u realizuan më 7 tetor.

Tregu Unik i Pagesave në Euro (SEPA) është një iniciativë e industrisë bankare dhe të pagesave evropiane e përfaqësuar nga Këshilli Evropian i Pagesave, e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera të BE-së për të rritur efikasitetin e pagesave në euro dhe për të zhvilluar dhe thelluar më tej tregun e vetëm evropian. Ajo u krijua në vitin 2008 dhe u zbatua plotësisht në vitin 2014.