Arabia Saudite planifikon të hapë dy dyqane të reja alkooli, përfshirë një që u shërben stafit të huaj jo-musliman në gjigantin shtetëror të naftës Aramco, ndërsa mbretëria lehtëson më tej kufizimet, sipas njerëzve të informuar mbi planet.
Sipas Reuters, hapja e pikave të shitjes në provincën lindore të Dhahranit dhe një për diplomatët në qytetin portual të Jeddah do të ishte një moment i rëndësishëm në përpjekjet, të udhëhequra nga sundimtari de facto Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, për të hapur vendin.
Mbretëria, e cila është vendlindja e Islamit, vitin e kaluar hapi një dyqan alkooli që u shërben diplomatëve jo-muslimanë në kryeqytetin Riad – pika e parë e tillë që nga vendosja e një ndalimi 73 vjet më parë.
Dhe dyqani i ri në Dhahran do të ngrihet në një kompleks në pronësi të Aramco-s, tha një nga tre personat që folën me Reuters.
Ky dyqan do të jetë i hapur për jo-muslimanët që punojnë për Aramco-n, shtoi burimi, i cili tha se autoritetet saudite i kishin informuar ata për planin.
Dy nga burimet thanë se një dyqan i tretë pijesh alkoolike ishte gjithashtu në proces për diplomatë jo-muslimanë në qytetin e Jeddah, ku shumë vende të huaja kanë konsuj.
Të dy dyqanet pritej të hapeshin në vitin 2026, por nuk ishin publikuar afate kohore, citohet të kenë thënë dy nga burimet.
Siç thekson Reuters, nuk pati asnjë ndryshim të njoftuar zyrtarisht në rregullore pas hapjes së dyqanit të Riadit në një ndërtesë në lagjen diplomatike të njohur për disa diplomatë si “bunkeri i pijeve alkoolike”.
Përpara dyqanit të Riadit, alkooli ishte kryesisht i disponueshëm vetëm përmes postës diplomatike, tregut të zi ose prodhimit të birrës në shtëpi.
Në vendet e tjera të Gjirit, përveç Kuvajtit, alkooli është i disponueshëm me disa kufizime.




