Dy inspektorët e dyshuar mbeten në arrest shtëpiak, gjykata refuzoi ankesën e prokurorisë

A view outside a night club, following a fire resulting in casualties, in the town of Kocani, North Macedonia, March 16, 2025. REUTERS/Ognen Teofilovski TPX IMAGES OF THE DAY

Këshilli penal i Gjykatës Themelore në Koçan refuzoi ankesën e Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit dhe e konfirmoi masën e arrestit shtëpiak për dy të dyshuarit që u arrestuan në fund të javës së kaluar në aksionin e ndërlidhur me tragjedinë në të ashtuquajturin kabare “Puls”, transmeton Portalb.mk.  

Prokuroria Themelore në Koçan të enjten hapi hetim ndaj 11 personave, mes tyre edhe dy kontrollorë tatimorë të Shërbimit të Kontrollit Tatimor pranë Drejtorisë Rajonale të Inspektoratit Tatimor në Shtip, të dyshuar se kanë marrë ryshfet, duke i informuar përgjegjësit e “Puls”-it për kontrollet inspektuese në këmbim të dhuratave. 

Për këta persona, Prokuroria kërkoi masë paraburgimi, por gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Koçanit vendosi t’u caktojë arrest shtëpiak. Të premten, Prokuroria njoftoi se e ka marrë vendimin dhe se do të paraqiste ankesë. 

Sipas njoftimit të publikuar sot në faqen zyrtare të Gjykatës së Koçanit, Këshilli vendosi t’i refuzojë ankesat e Prokurorisë dhe të konfirmojë vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake. 

“Në përputhje me nenin 25 paragrafi 5 të Ligjit për Procedurën Penale, Këshilli pranë Gjykatës Themelore Koçan, duke shqyrtuar ankesat e paraqitura nga Prokuroria kundër vendimeve të gjyqtarit të procedurës paraprake, me të cilat dy të dyshuarve u ishte caktuar masa për sigurimin e pranisë – arrest shtëpiak, i ka refuzuar ankesat dhe i ka konfirmuar vendimet e mëparshme,” thuhet në njoftimin e Gjykatës. 

Ndërkohë, për gjashtë të dyshuar të tjerë, me kërkesë të Prokurorisë, janë caktuar masa të kujdesit, ndërsa një të dyshuari gjykata i ka vendosur masë shtesë të kujdesit. 

Për aksidentin më të madh në vend ku më 16 mars u dogjën 63 të rinj dhe fëmijë, ndërsa u lënduan 212, akuzohen: pronari i “Puls”-it Dejan Jovanov-Deko, i sjellë nga burgu i Kumanovës, Mitko Stojanov, djali i Dekos, Mihail Jovanov, Grozdan Milçkovski, Milka Edrovska, Todor Jovanov, Ognjan Georgiev, Ljupço Stamenkov, Nikollço Kocev, Ratko Dimitrovski, Nikolço Iliev, Ljupço Papazov, Jane Jançeski, Lazar Zahariev, Ivica Grozdanov, Stojanço Dimitrijev, Shaban Saliu, Martin Georgiev, Adnan Dzaferoski, Bekim Maksuti, Xhevad Selamin, Valon Saraçini, Kreshnik Bekteshi, Xhevair Kamberi, Shevket Hazari, Zoran Nikollovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Hasapi, Mile Ampov, Blashka Eftimova, Vesna Kizmanovska, Emil Mitev, Razmena Çekiq-Duroviq, pronari i agjencisë së sigurisë Rubikon, Aleksandar Nacev.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 35 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.