Kufizimet e reja për veshjen “synojnë kontrollin” ndaj grave në Çeçeni

Çeçenia e ka bërë një ligj të ri për modën e grave, i cili i ndalon veshjet tradicionale që përmbajnë “elementë mashkullorë”.

Edhe pse nuk është hera e parë që autoritetet e republikës ruse vendosin kufizime ndaj veshjes së grave, vëzhguesit thonë se arsyetimi për ligjin më të ri lidhet me kontrollin, e jo traditën, siç pretendohet.

Ministria e Kulturës e Çeçenisë tha se dizajnerëve të veshjeve u ndalohet tashmë të përdorin stile të caktuara që “bien ndesh me zakonet tradicionale dhe vlerat kulturore”.

Më saktësisht, autoritetet përmendën gazyrët – rreshta xhepash për plumba të qepur në radhë në lartësinë e gjoksit – mbi veshjen tradicionale çerkeska.

Çerkeska është një pallto leshi me qafë të lartë që është pjesë e veshjes tradicionale mashkullore të popujve të Kaukazit.

Pse u veçuan gazyrët?

“Luftëtarët i përdornin ato për t’i ruajtur ngarkesat e barutit”, shpjegoi Ministria. “Me kalimin e kohës, ato u shndërruan në simbol trimërie, nderi dhe fryme mbrojtëse”.

“Përdorimi i këtyre elementeve në veshjet e grave shihet si një cenim i simbolikës mashkullore dhe shkelje e traditave shekullore”, përfundoi ajo.

Ky është kufizimi i dytë ndaj veshjes së grave nga autoritetet çeçene në më pak se një muaj. Në fund të tetorit, grave iu ndalua të dilnin jashtë pa shami në kokë.

Një grua që kapen pa shami në kokë do t’iu nënshtrohet “bisedave sqaruese”, sipas Amir Sugaipovit, një ndihmës i liderit autoritar të republikës, Ramzan Kadyrov.

Niqabet, mbulesat myslimane për kokën që mbulojnë të gjitha pjesët përveç syve, janë gjithashtu të ndaluara.

Provë besnikërie për masat

Vëzhgues politikë, historianë dhe aktivistë për të drejtat e grave e kanë kritikuar arsyetimin zyrtar se këto kufizime pasqyrojnë kulturën çeçene.

Grupi i krizave, Marem, që mbron të drejtat e grave në Kaukazin e Veriut, tha se nuk është “aspak i habitur” që “burrat nga Ministria e Kulturës vendosën të merren me modën e grave”.

“Ajo që do të donim të shihnim është nëpunës civilë që luftojnë për simbole të tjera të guximit dhe dinjitetit; si t’i japin fund femicidit dhe të heqin dorë nga dhuna ndaj grave”, tha Marem.

Politologu Ruslan Aisin e krahason këtë gjendje me atë të Koresë së Veriut, e cila gjithashtu rregullon çfarë veshin njerëzit, madje edhe se si i qethin flokët.

Një regjim totalitar kërkon besnikëri të plotë ideologjike, “që të mos ketë devijime”, tha ai.

E njëjta gjë po ndodh në Çeçeni, shton ai, dhe nuk ka të bëjë me traditat, por është më shumë një provë besnikërie për popullin.

“Gjithçka që shteti bën në emër të kulturës është gjithmonë shfaqje dhe gjithmonë synon kontrollin. Së pari, ka kulturë zyrtare, e pastaj kulturë popullore. Ato shpesh përplasen. Nëse shikon traditat çeçene, nuk ka diktator”, shpjegon ai.

Kodi i veshjes dhe politika e trashëgimisë

Kadyrov njihet prej kohësh për rehatimin e anëtarëve të familjes në pozita të fuqishme qeveritare. Ai gjithashtu synon ta shtrojë rrugën për trashëgimtarin e tij të ardhshëm.

Isa Ibragimov, një i afërm i Kadyrovit, drejton Ministrinë e Kulturës, e cila shpalli kufizimet e reja. Vajza e Kadyrovit, Aishat Kadyrova, e mbajti këtë post nga viti 2021 deri në vitin 2023, para se të bëhej zëvendëskryeministre për Çështjet Sociale.

Kadyrova, 26-vjeçare, dha dorëheqjen në shkurt, duke thënë se puna ishte më e përshtatshme për një “burrë të fortë” dhe se ajo kishte ndër mend të përqendrohej në karrierën e biznesit.

Këto interesa biznesi përfshijnë ndërmarrjen e saj më të njohur, shtëpinë e modës Firdaws.

Sipas uebsajtit e saj, dizajnerët e Firdaws “punojnë në segmentin autentik të modës modeste” dhe prodhojnë veshje që janë “besnike ndaj stilit tradicional çeçen, motiveve vainakh dhe natyrës” për “burra dhe gra që parapëlqejnë stil elegant dhe mbeten besnikë ndaj kulturës së tyre”.

Si Kadyrova ashtu edhe Firdaws janë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Tani që nuk mund të bëjnë më biznes në vendet perëndimore, koleksionet e Firdaws janë bërë edhe më konservatore.

Politologu Aisin thotë se Kadyrova mund të përfitojë nga kufizimet e reja në veshjen e grave çeçene.

“Brenda Çeçenisë, po zhvillohet një ndryshim pushteti nga Kadyrovi, nga një model monocentrik në një policentrik, drejt familjes. Kjo kërkon disa veprime, hapa ideologjikë dhe politikë. Në thelb, ata duhet të shpërndajnë pushtetin midis vajzës së tij, djalit, nipërve, dhëndrit dhe kështu me radhë”, tha Aisin.

“Aishat, për shembull, do ta mbikëqyrë këtë. Ajo do të ketë një lloj elementi të jashtëm dhe simbolik të pushtetit. Nuk mendoj se Kadyrov e formulon personalisht kështu, por kjo rrjedh logjikisht nga gjithçka që po bëjnë atje”, thotë ai.

“Ruajtja e rendit’ për Kremlinin

Svetlana Anokhina, themeluese e grupit Marem, tha se përdorimi i “traditave” si bazë për ndalime është një prirje e kahershme në Kaukazin e Veriut.

“Burrat gjithmonë e kanë perceptuar çdo ‘shkelje të kufirit’ nga gratë si një cenim ndaj privilegjeve dhe ‘maskulinitetit’ të tyre”, tha ajo.

Madje edhe fakti që Kadyrov urdhëron një ndalim të tillë bie ndesh me traditën çeçene, shpjegoi ajo.

“Sipas traditës, një i huaj nuk mund t’i japë urdhra një gruaje. Ai duhet t’i drejtohet asaj përmes burrave të familjes së saj. Por, duket se Kadyrovi e konsideron veten ‘babai i popullit’ dhe vepron në përputhje me këtë: Ai u lejon grave të ndëshkohen, të qortohen publikisht, t’u ndalohet veshja e disa rrobave dhe t’u vendosen kufizime për veshjen”, tha Anokhina.

Fatima Gazieva nga organizata Paqe për Gratë në Botë, me bazë në Belgjikë, tha se autoritetet çeçene po i përdorin këto kufizime jo vetëm për ta forcuar kontrollin brenda republikës, por edhe për të demonstruar besnikërinë dhe aftësinë e tyre për të “mbajtur rendin” para Kremlinit.

“Po flasim për respektimin e dinjitetit të grave, i cili ka qenë gjithmonë pjesë e vlerave të mirëfillta e jo të politizuara çeçene”, tha ajo.

“Me fjalë të tjera, nëse autoritetet me të vërtetë duan të ruajnë traditën, duhet t’i mbrojnë gratë, jo t’i kontrollojnë”./rel