Një ish-police shqiptare në Boston, Enxhi Qirici, ka fituar 1 milion dollarë dëmshpërblim në një proces gjyqësor ku pretendoi se ishte ngacmuar seksualisht dhe diskriminuar në vendin e punës.
Megjithatë, juria vendosi se shkarkimi i saj nuk lidhej me ngacmimin, por me “mospërmbushjen e standardeve profesionale”.
Qirici, 32 vjeç, u largua nga Departamenti i Policisë së Bostonit në vitin 2019, gjatë vitit të saj të provës, pas dy incidenteve ku ajo u përball ashpër me oficerë të tjerë, përfshirë edhe mallkime ndaj një polici të Universitetit Northeastern.
Në vitin 2021, ajo paditi departamentin duke pretenduar se: u ngacmua seksualisht nga kolegët, u targetua për shkak të lidhjes së saj me një koleg polic me ngjyrë, dhe se u pushua si hakmarrje pas ankesës zyrtare të bërë në Komisionin Kundër Diskriminimit të Masaçusetsit.
Sipas The Boston Globe, juria pranoi se Qirici kishte qenë viktimë e një “mjedisi pune armiqësor”, por njëkohësisht vendosi se ngacmimi nuk ishte arsyeja kryesore e shkarkimit të saj.
Dy incidentet që çuan në largimin nga detyra
Korrik 2018: Qirici u përplas me një oficer të Universitetit Northeastern, të cilin e ofendoi pasi ai e paralajmëroi për parkim të gabuar.
Një muaj më vonë: Ajo dhe partneri i saj, oficeri Eliot Telisnor, shkuan në Aeroportin Logan për një çështje familjare, ku Qirici u konfliktua me një oficer të sigurisë së aeroportit.
Pas incidentit të dytë, asaj iu hoq arma dhe u caktua në detyra zyre, ndërsa ngacmimi ndaj saj – sipas padisë – u intensifikua.
Në mars 2019, ajo bëri një ankesë formale për ngacmim dhe komente seksiste. Tre javë më vonë, u pushua nga puna.
Avokatët: dy këndvështrime të kundërta
Avokati i Qiricit, Ilir Kavaja: “Ky rast ka të bëjë me drejtësinë dhe barazinë”.
Avokati i qytetit, Edward Whitesell: “Ajo ishte në periudhë prove. Kjo periudhë ekziston pikërisht për të larguar oficerët problematikë”.
Qirici, e cila tashmë punon si avokate në Boston, tha se puna në polici ishte “ëndrra e saj”, ndërsa Telisnor dëshmoi: “Ajo e kishte karrierën dhe ajo iu hoq”.
Departamenti i Policisë së Bostonit nuk ka komentuar ende mbi vendimin./Bota Sot




