Merzi skeptik se mund të ketë marrëveshje për Ukrainën deri të enjten

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, thotë se është “skeptik” se një marrëveshje për Ukrainën mund të arrihet deri në afatin e së enjtes të vendosur nga Trumpi, duke shtuar se “jemi shumë larg kësaj”.

Duke folur në margjinat e G20-s në Johanesburg, Merzi ka thënë se “Kjo nuk do të thotë se është plotësisht e pamundur të arrihet…”.

Donald Trumpi i ka dhënë Ukrainës afat deri të enjten – që është Dita e Falënderimeve në SHBA, për të rënë dakord me planin e propozuar prej 28 pikash.

Ai ka thënë se plani nuk përfaqëson një “ofertë përfundimtare” dhe afatet mund të zgjaten nëse gjërat “shkojnë mirë”.

Ndërkohë Merzi ka thënë se fokusi tani duhet të jetë në hartimin e një dokumenti të pranueshëm për Ukrainën, që më pas mund të përdoret për të negociuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.