Jançev: Lokali ku performonte artisti serb ishte i stërmbushur dhe pa masa sigurie, nuk lejojmë edhe një tjetër tragjedi si në Koçan

Kryetari i komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, tha se performanca e këngëtarit serb në Kavadar u ndërpre për shkak të shkeljeve serioze të sigurisë, angazhimit të paparaqitur dhe thyerjes së rregullave të punës së lokalit.

Incidenti ka ndodhur kur policia së bashku me inspektorë nga disa institucione hynë në objektin hotelier ku po performonte artisti serb, i cili pas kontrollit të lokalit përfundoi në polici.
“Nuk do të lejojmë skenar si në Koçani. Siguria është e para!”, deklaroi Jançev.
Ai sqaroi se organizatorët më parë kishin paraqitur kërkesë në Komunën e Kavadarit për vendosje të pajisjeve urbane dhe zgjerim të hapësirës për koncert, por kërkesa ishte refuzuar për arsye sigurie.

“U kërkua leje nga Komuna e Kavadarcit për vendosjen e pajisjeve për performancën e artistit Aca Lukas. Komisioni konstatoi se nuk ka kushte për këtë për arsye sigurie. Më 14 nëntor kërkesa u refuzua, dhe pronari u informua me shkrim dhe gojarisht”, tha Jançev.

Ai shtoi se lokali ka kapacitet prej 200 personash, ndërsa brenda u gjetën madje 700 persona.

“Nuk duhet të lejojmë të përsëritet tragjedia si ajo në Koçani. Lokale të mbingarkuara me mysafirë, pa respektim të masave të sigurisë, në Kavadarci nuk do të tolerohen”, shtoi ai.

Jançev theksoi edhe se angazhimi i vetë këngëtarit nuk ishte paraqitur as në Agjencinë e Punësimit, as në Ministrinë e Punës, gjë që përbën shkelje shtesë.