VLEN shpreh krenarinë dhe mirënjohjen e thellë për organizimin e manifestimit qendror të mbajtur dje në Manastir, me rastin e 117-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në vendin ku në vitin 1908 u vendos një prej themeleve më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, u rikujtua edhe një herë se gjuha shqipe është më shumë se mjet komunikimi, ajo është orientimi ynë historik dhe europian, ura që na bashkon në vetëdijen kombëtare.
Prania e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve institucionalë nga mbarë hapësira shqiptare, e bëri këtë ditë edhe më domethënëse, duke dëshmuar se gjuha shqipe mbetet elementi ynë më i fortë i unitetit dhe identitetit.
Në Pallatin e Kulturës në Manastir, atmosfera e ndezur nga muzika, interpretimet artistike dhe emocionet e publikut u shndërruan në një homazh të gjallë për delegatët e vitit 1908, të cilët me vizionin e tyre i dhanë formë kombit tonë modern. Ky koncert e mbylli siç duhet një ditë të shënuar, duke na rikthyer te rrënjët dhe te amaneti i rilindësve.
VLEN beson se detyra jonë sot është të vazhdojmë forcimin e kësaj trashëgimie përmes arsimit cilësor, kulturës dhe institucioneve të përgjegjshme. Vetëm kështu mund ta nderojmë vizionin e Kongresit të Manastirit dhe ta çojmë përpara amanetin e tyre për një gjuhë që bashkon shqiptarët kudo që ndodhen.




