Fetai: Barazia gjuhësore, themel i demokracisë moderne

Në Seancën Solemne të Qeverisë, të mbajtur sot më 22 Nëntor, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka përcjellë një mesazh të fuqishëm me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ai ka theksuar se barazia gjuhësore është themel i një shteti modern dhe evropian, duke e cilësuar këtë parim si përcaktues të cilësisë së demokracisë.

Fetai rikujtoi vendimin historik të rilindësve shqiptarë në Kongresin e Manastirit, 117 vjet më parë, kur gjuha shqipe mori standardin dhe strukturën e saj. “Ajo nuk ishte vetëm çështje gjuhe, ishte projekt shtetndërtimi, projekt emancipimi dhe projekt për të ardhmen”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri nënvizoi se gjuha është urë komunikimi, jo vijë ndarjeje, duke shtuar se Qeveria është e përkushtuar të garantojë respekt dhe barazi për çdo gjuhë, identitet dhe komunitet në vend. “Ky është standardi që na afron me Evropën që synojmë dhe me shtetin që duam të ndërtojmë,” tha Fetai.

Ai përfundoi duke uruar të gjithë shqiptarët për këtë ditë të shënuar, duke theksuar se e ardhmja ndërtohet së bashku, me respekt, dinjitet dhe vullnet për t’u ngritur më lart. “Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, ishte urimi i tij për shqiptarët kudo që ndodhen.