Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, uroi bashkëqytetarët shqiptarë, duke theksuar se këtë ditë e përshëndet me respekt të veçantë, si një simbol të fuqishëm të përpjekjes për arsimin dhe edukim, përcjell TV21.
“Para 117 vjetësh, Alfabeti i unifikuar nisi rrugëtimin e tij nga Kongresi i Manastirit, si kodi më i rëndësishëm i komunikimit për një popull. Sot duhet të kujtojmë se gjuha dhe shkrimi janë vlera themelore që formojnë identitetin kolektiv dhe forcojnë lidhjen shpirtërore mes brezave. Respekti ndaj gjuhës dhe shkrimit të çdo komuniteti forcon kohezionin shoqëror dhe bashkon shoqërinë multietnike të Maqedonisë. Gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të dallimeve që është një investim për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët”, thuhet në urimin e Siljanovska-Davkovës.
Në këtë ditë, sipas urimit, shprehet edhe mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në jetën shoqërore, i cili pasuron shoqërinë tonë.
“Gëzuar Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë shtetin në frymën e respektit, barazisë dhe unitetit”, përfundon urimi i Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e 22 Nëntorit.




