Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot u ka bërë thirrje banorëve në rajonet e prekura nga përmbytjet që të kenë kujdes për sigurinë e ushqimit, ujit të pijshëm dhe shëndetin e kafshëve. AUV apelon që të ndiqen njoftimet për motin, gjendjen e lumenjve, furnizimin me ujë dhe sigurinë e ujit të pijshëm, transmeton Portalb.mk.
“Nëse në rajonet ku tashmë ka dalë lumi nga shtrati dhe janë përmbytur shtëpitë dhe tokat bujqësore, furnizimi me ujë bëhet nga sisteme individuale të ujësjellësit, dhe ka turbullirë të dukshme të ujit, atëherë uji nuk duhet të përdoret për pije dhe gatim deri në sanimin e gjendjes dhe marrjen e konfirmimit laboratorik se uji është i sigurt. Duhet të mbahet rregullisht higjiena e duarve, sidomos pas kontaktit me ujin e përmbytjes ose me sendet që kanë qenë të përmbytura, pas pastrimit dhe para përgatitjes së ushqimit. Duhet pasur kujdes që ushqimi i gatshëm të mos vijë në kontakt me ujin e përmbytjes ose me ujërat e ndotura“, thuhet në njoftim.
AUV rekomandon që në amvisëritë e përmbytura, ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e përmbytjes, në frigoriferë, ngrirës ose bodrume të përmbytura, të mos përdoret për konsum.
Ushqimi duhet të përgatitet me ujë të sigurt dhe patjetër të përpunohet termikisht në temperaturë mbi 70 gradë Celsius. Frutat dhe perimet që zakonisht konsumohen të freskëta duhet të lahen mirë, të pastrohen, të lahen sërish dhe të përpunohen termikisht.
Nëse në shtëpitë e përmbytura ka fëmijë të vegjël, rekomandohet që ata të ushqehen me ushqim të përgatitur në mënyrë industriale.
“Pavarësisht nëse bëhet fjalë për kafshë shtëpiake apo bagëti, pronarët dhe mbarështuesit kanë detyrimin të jenë të përgatitur dhe në rast përmbytjeje të kujdesen për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve. Detyrimi kryesor është t’u sigurohet kafshëve ushqim, ujë dhe strehim në një vend të sigurt. Nëse duhet braktisur vendbanimi në kohë të shkurtër dhe nuk është e mundur të merren kafshët me vete, ato duhet të zhvendosen në një vend të sigurt. Nëse gjenden në stallë dhe mbahen të lidhura, kafshët duhet të zgjidhen dhe, nëse është e mundur, të çohen në një vend më të lartë ku rreziku i përmbytjes është më i vogël“, informon AUV.
Ata shtojnë se edhe ushqimi për kafshët duhet të zhvendoset në një vend të sigurt dhe të thatë, si dhe të sigurohet ujë i freskët për to. Mbarështuesit e bagëtive duhet të jenë në kontakt me veterinerët kompetentë për udhëzime, këshilla dhe, nëse është e nevojshme, për kujdes veterinar.




