Richard Branson ka reaguar ashpër ndaj planit 28-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump për Ukrainën, duke e cilësuar atë si “mashtrim epik” dhe një goditje të rëndë ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas Branson, plani nuk përfaqëson aspak një strategji paqeje, por një dorëzim të Ukrainës ndaj Rusisë, pasi legjitimon agresionin dhe i mohon Kievit të drejtën mbi territorin e vet.
Ai kritikon mungesën e çdo mekanizmi për llogaridhënie ndaj krimeve të luftës, si dhe “garancitë e paqarta të sigurisë” që, sipas tij, nuk mbrojnë interesat ukrainase.
Miliarderi britanik thekson se propozimi favorizon kryesisht Rusinë, ndërsa i hap rrugë SHBA-së për përfitime ekonomike nga rindërtimi i vendit të shkatërruar nga lufta.
Ai paralajmëron se plani dërgon një sinjal të rrezikshëm për tolerimin e agresionit rus dhe për dobësimin e rolit amerikan në skenën globale.
Branson u bën thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe aleatëve evropianë që ta refuzojnë këtë propozim dhe të punojnë për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.




