Shkruan Uran Butka
Kongresi i Manastirit i zhvilluar nga 14 deri 22 nëntor 1908 qe një ngjarje kulmore në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Atë e kërkonte koha dhe e realizuan figurat më të shquara në gjithë hapësirën shqiptare.
Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kombëtare dhe kulturore në atë kohë, shtroi nevojën e ngutshme për njësimin e alfabetit, të një gjuhe letrare të përbashkët dhe qendërsimin e gjithë veprimtarive arsimore e kulturore. Në nëntor të vitit 1908, me nismën e klubit kulturor “Bashkimi” të Manastirit të kryesuar nga Fehmi bej Zavalani u mblodh, Kongresi Kombëtar i Manastirit, ku morën pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote, përfaqsues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë vendit. Kryesia e kongresit u zgjodh me votim të fsheftë. Kryetar u zgjodh Mid’hat Frashëri, delegat i Selanikut dhe Janinës, atëhere 28 vjeç. Madje në mungesë. Nuk kishte mbritur ende në Manastir. E pritën në stacionin hekurudhor dhe atje e uruan. Nënkryetar u zgjodh Gjergj Qirjazi, një nga figurat më aktive të kongresit.
Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjesht një kongres për alfabetin e gjuhës sone, por një kuvend kombëtar për çështjet më të rëndësishme të kombit. Ishte mbledhja e parë kombëtare pas Lidhjes së Prizrenit. Në seancat e hapura që shpesh merrnin karakterin e manifestimeve të zjarrta patriotike dhe në mbledhjet e veçuara apo të fshehta, u përpunua platforma e lëvizjes sonë kombëtare dhe u formuluan kërkesat politike, ekonomike dhe kulturore, natyrisht të karakterit autonomist që shtonte koha. Në to kërkohej që të njiheshin zyrtarisht nga qeveria turke kombësia shqiptare, madje kjo të shënohej nëpër letërnjoftimet e gjithë shqiptarëve; të njihej përdorimi i gjuhës shqipe; të hapeshin shkolla shqipe në të katër vilajetet dhe shkollat shtetërore turke apo fetare të ktheheshin në shkolla shqipe. Parashikohej edhe ngritja e një universiteti, një muzeu arkeologjik etj. Shtroheshin, gjithashtu kërkesa për më shumë të drejta e kompetenca administrative për shqiptarët si edhe kërkesa me karakter ekonomik, që shkonin gjer në projekte ambicioze si ngritjen e ekonomive bujqësore model, tharrje kënetash, ndërtim hekurudhash, shfrytëzim i pasurive minerale e të tjera.
Por, një nga çështet kryesore te Kongresit të Manastirit, ishte njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Edhe konceptimi, edhe diskutimi, edhe trajtimi i kësaj çështjeje nevralgjike, u panë jo si një problem thjesht gjuhësor, por si një nevojë e kahershme kombëtare që kërkonte doemos zgjidhje.“T’i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve me një ABE”. Kjo ishte edhe diviza e kuvendit.
Përcaktimi i një alfabeti plotësisht latin dhe më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe, i një abeceje për të gjithë shqiptarët, ishte rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm rilindës që nga Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Faik Konica etj dhe që përfundoi me alfabetin e Manastirit.
Padyshim, të gjithë delegatët e në mënyrë të dukshme figurat e spikatura te çështjes sonë kombëtare e të kulturës shqiptare si Fehmi bej Zavalani, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli,Sotir Peci, Hilë Mosi, Nikollë Kacorri, Mati Logoreci, Simon Shuteriqi, Thoma Avrami, Grigor Cilka, Mihal Grameno, Dhimitër Buda, Sami Pojani, Hafëz Ibrahimi, Selahedin Prizreni, Refik Toptani etj.dhanë ndihmesën e tyre të shquar në formulimin e kërkesave kombëtare dhe njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por, veçan, theksojmë kontributin e Mid’hat Frashërit, jo vetëm si kryetar i Kongresit, si ligjëruesi dhe formuluesi kryesor i problemeve kombëtare, por edhe si anëtar efektiv i Komisisë së ABE-së, kontribut që ishte mohuar apo denigruar nga historiografia komuniste, ashtu si edhe kontributi i madh i Fishtës.
Fakti që Gjergj Fishta ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit, bëri që të kapërceheshin gjithë ndasitë regjionale dhe dallimet mes alfabeteve ekzistuese dhe të zgjidhej një abece gjithëkombëtare. Citojmë nga procesverbali i punimeve të Kongresit i mbajtur nga Parashqevi Qiriazi: “At Fishta me atë fuqi të fjalës që është i dërguar prej shoqërisë “Bashkimi”, s’ka ardhur për të mbrojtuar atë abece, por për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë”
Kongresi vendosi që në të ardhmen të kishte një alfabet të vetëm për të gjithë shqiptarët, ndërkohë që përkohësisht do të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit, edhe ai kryesisht latin, por me disa shkronja cirilike për gërmat e dyzuara dhe ai me shkronja tërësisht latine, siç e kemi sot. Me përpjekjen e delegatëve e në mënyrë të veçantë me këmbënguljen e Ndre Mjedës, u arrit konsensusi historik. Në precesverbalin e Kongresit lexojmë: “Të nesërmen nadje, para se të fillonim mbledhjet e komisionit, Dom Ndreu vajti te Mid’hat Frashëri dhe i paraqiti këto dy alfabete. Zotnija, mbas nji diskutimi të shkurtër, mbeti i kënaqun dhe i tha që t’ia paraqitë ai vetë komisionit…”
Mjeda ia paraqiti të dy alternativat. Fishta shkoqiti se abc-ja e stambollit është e mirë e mbi baza latine, por ka vështirësi në të shtypurit e librave shqip jashtë vendit, ndaj duhej një abc thjesht latine. Më në fund u vendos që të përdoreshin për dy vjet të dy alfabetet e zgjedhur dhe do të mbetej ai që do t’i rezistonte kohës.
Sipas procesverbaleve te punimeve të Kongresit nga 14 deri 22 nëntor 1908 të botuara në gazeten “Lirija”: “Në fund duel kryesonjësi, z.Mid’hat Frashëri, i cili diftoj , se mbas kaq të mbledhunave qi pat pleqësia, çështja e abe-tit muer funt në nji mënyrë qi do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqun e për kët shkak u zgjodhën dy abe-të e të dy do të përdoren prej shqyptarëvet; njeni asht i Stambollit e tjetri nji abet thjesht latin, por qi i bazohet atij të Stambollit”
Ndërkohë Luigj Gurakuqi, delegat i shqiptarëve të Italisë dhe Shkodrës zbuloi dërrasën ku ishte shkruar alfabeti i njësuar tërësisht latin.
Albanologu i madh dr. Holger Pedersen e përshëndet këtë zgjidhje: “Këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet i vetëm. Ky është një përparim shumë i madh , për të cilin duhet uruar populli shqiptar”
Në analizën “Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit” Mid’hat Frashëri konkludonte:
1.U fitua bindja se shqiptarët kanë arritur një shkallë të tillë ndërgjegjsimi kombëtar që të mblidhen , të mendohen dhe të vendosin për çështje me aq rëndësi.
2. U arrit qëllimi i Kongresit për njësimin e abc-ve. “Tani, pra, themi se abc-ja u njësua, tani do të mbledhim gjithë fuqinë për të shkruar dhe për të përhapur gjuhën, pa humbur kohë në zihje e në grinda të abc-së. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, vepra për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollore, diturake dhe literare”
3 Njësimi i abc-ve është pemë e parë e kongresit. Po ka edhe një pemë tjatrë që është akoma më e madhe e më e bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. “ Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë e muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themël i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve”-nënvizon Mid’hat Frashëri.
4. Mbledhja e Manastirit i tregoi botës qënien dhe ekzistencën e një kombi shqiptar. “Ky kongres, shkruan Mid’hat Frashëri, kjo shenjë e parë që dhamë në qytetari, na e shtoi nderë para syve tanë dhe përpara botës , që kujtonte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie…Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një populli kulturuar dhe një komb i civilizuar…
Mid’hat Frashëri, në atë kohë, shpresën e ekzistencës, të shpëtimitdhe të mbrothësimit të Shqipërisë e të kombit shikon tek qytetaria, që vjen nga dituria, puna dhe kamja.. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut s’është më vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetaria.. Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetaria, puna, dituritë, begatija”
Themelin e diturisë, të qytetarisë dhe të kombësisë , sipas Mid’hat frashërit e përbën gjuha shqipe. “Lufta për gjuhën, është një formë tjetër e luftës për të rrojtur”
Gjithë përpjekja e tij në këtë kohë u bë: mësimi e dituria nëpërmjet gjuhës shqipe për ringjalljen shpirtërore dhe puna e paprerë për ringjalljen ekonomike në Shqipëri. “Dyfekët, thikat dhe jataganët thyejini! Ato armë tani bëjini pluar, bëjini çekanë, se tani do rrojtur me djersë të ballit si njerës që na ka bërë Zoti.”- shkruante ai në gazetën “Lirija”, korrik 1908.
Por Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një tubim gjuhësor, por një kuvend kombëtar. Aty u diskutua dhe u miratua një program i gjerë kombëtar prej 18 pikash, për veprimtari politike, arsimore dhe kulturore, siç ishin vendimmarrjet për njohjen zyrtare të kombësisë e të gjuhës shqipë, hapjen e shkollave dhe e klubeve shqiptare në të gjithë vendin, nxjerrjen e gazetave të reja e botimin e librave shqip për shkollat, drejtimin dhe zhvillimin unik të arsimit etj
“Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qënien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar…Ky kongres, kjo shënj’e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syvet tanë dhe përpara syvet të botës Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.” – shkruante Mid’hat Frashëri.




