Në shtator, paga mesatare neto në Maqedoni ishte 45.466 denarë ose 740 euro. Kjo është 115 denarë më shumë se në gusht, ose 0.3 për qind më shumë. Por krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja vjetore është e konsiderueshme – 9.3 për qind. Edhe më e madhe është rritja nëse krahasohen nëntë muajt e vitit 2025 me periudhën e njëjtë të vitit 2024 – rritje prej 9.9 për qind.
Ndryshe, për të mbushur shportën minimale sindikale nevojitet pothuajse një pagë mesatare e gjysmë.
“Duke theksuar se jeta është sërish tepër e shtrenjtë për qytetarin dhe punëtorin e Maqedonisë, për këtë muaj nevojiten minimumi 65.173 denarë për të përballuar shpenzimet e një familjeje me katër anëtarë, ose 80.000 denarë nëse ajo paguan qira apo ka kredi banese”, tha Ivan Peshevski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, përcjell “TV21”.
Nga Lidhja e Sindikatave përsëritën se paga mesatare po rritet, ndërsa ajo minimale ka mbetur e pandryshuar që nga marsi – prandaj kërkojnë rritjen e saj në 600 euro.
“Për momentin, minimumi 80.000 denarë nevojiten për të mbijetuar një muaj për një familje. Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa për një pagë minimale prej 600 eurosh, duke pasur parasysh se shumica e përgjigjeve në sondimin tonë ishin pikërisht për këtë shumë, theksoi Ivan Peshevski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Sindikatat paralajmëruan protesta dhe greva në përpjekje për të siguruar një rritje të pagës minimale. Ata theksojnë se një bazë për rritjen e pagës minimale është edhe produktiviteti i mirë i punëtorit, i cili krijon shumë më tepër vlerë sesa paguhet.




