Kryeparlamentari Gashi takon ambasadoren e re të Kinës

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur në takim ambasadoren e re të Republikës Popullore të Kinës në vend, Sh.S. Xhiang Siaojan. Përmes një njoftimi, ai ka bërë të ditur se në këtë takim është konfirmuar miqësia dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim ambasadoren e re të Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, Sh.S. Xhiang Siaojan. Konfirmuam marrëdhëniet diplomatike dhe miqësore mes dy vendeve tona, të ndërtuara mbi respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, ka deklaruar Gashi.

Ai theksoi se diskutimi është fokusuar në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe zhvillimit në sektorë të ndryshëm.

“Diskutuam mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe adresuam potencialin e zhvillimit të mëtejshëm në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, arsimin dhe kulturën, me synimin për të avancuar projekte që sjellin përfitime konkrete për qytetarët tanë”, ka vijuar ai.

Gashi ka shprehur falënderim për mbështetjen e deritanishme nga Kina dhe ka nënvizuar gatishmërinë për bashkëpunim të intensifikuar.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e deritanishme dhe theksova gatishmërinë e Kuvendit për të vazhduar një bashkëpunim edhe më dinamik, konstruktiv dhe të suksesshëm gjatë mandatit të saj diplomatik”, përfundon njoftimi i kryeparlamentarit.