Me iniciativën e tyre, gjyqtarët kushtetues vendosën të fillojnë procedurë për rritjen e barabartë (lineare) të pensioneve në Maqedoni, për të cilën ndryshimi i fundit i Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor u publikua më 29.07.2025. Qeveria dhe shumica parlamentare tregojnë me këto ndryshime ad hoc se nuk u intereson kohëzgjatja e shërbimit, shuma e pensionit të arritur, apo shuma e ndryshme e kontributeve që pensionistët paguanin më parë, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është një dispozitë që rrit pensionet (e njohur në publik si rritje lineare), gjegjësisht me nenin 2 të kontestuar, e drejta për rregullim të rregullt mujor të pensioneve, llogaritjet e bëra në bazë të rritjes së pagave dhe kostove të jetesës zëvendësohen me shpërndarje lineare të shumës totale të fondeve për të gjithë pensionistët në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga shuma e fituar dhe e arritur e pensionit, kohëzgjatja e shërbimit dhe kontributi i paguar”, thotë Gjykata Kushtetuese.
Gjykata theksoi se mori parasysh faktin se rregullimi i pensioneve është një e drejtë e personit të siguruar që garanton sigurimin shoqëror brenda kornizës së Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, i cili gjithashtu realizon garancinë kushtetuese për sigurimin shoqëror të qytetarëve.
“Gjykata Kushtetuese në këtë fazë të procedurës shprehu dyshim se Neni 2 i kontestuar shkel parimet kushtetuese të drejtësisë sociale, barazisë së qytetarëve, si dhe sigurinë juridike dhe pritjet legjitime si parime ligjore. Konkretisht, u ngrit pyetja nëse dispozita e kontestuar prodhon diskriminim bazuar në shumën e pensionit dhe pabarazi midis përfituesve të pensionit, gjegjësisht ata pensionistë që kanë pasur shërbim më të gjatë, pagesa më të larta në sistemin e pensioneve dhe një bazë më të lartë, marrin rritje më të vogël të pensioneve të tyre, në krahasim me pensionistët me pensione më të ulëta”, tregon Gjykata se ku është diskriminimi dhe ku dëmtohen ata që kanë paguar më shumë se paga e tyre në Fondin e Pensioneve gjatë gjithë jetës së tyre.
Citohet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila në vendimet e saj thotë se për qëllimet e Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një ndryshim në trajtim është diskriminues nëse “nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”, përkatësisgt nëse nuk arrin një “qëllim legjitim” ose nëse nuk ka “marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që duhet arritur”.
Duke filluar një procedurë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e nenit të kontestuar, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë nëse zgjidhja ligjore është e justifikuar dhe mjaftueshëm e balancuar.
Gjykata po fillon procedurat mbi kushtetutshmërinë e ndalimit të rritjes së pensioneve sipas kohëzgjatjes së shërbimit, kontributeve, inflacionit etj., të kopjuara nga modeli zviceran, me amendamentin e fundit të votuar nga shumica e VMRO-DPMNE-së në Parlament, të vlefshme deri në mars 2026, kur parashikohet një rritje e re e pensioneve, përsëri e njëjtë për të gjithë.
E përderisa pritet vendimi i gjykatës Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi më 7 nëntor konstatoi se ndaj këtyre pensionistëve është bërë diskriminin indirekt.
Në vitin 2024 kur Qeveria bëri ndryshime të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor për t’i rritur pensionet për 2.500 denarë kjo gjë u arsyetua si një masë për mbrojtjen e standardit të pensionistëve dhe për ruajtjen e fuqinë të tyre blerëse në kushte të rritjes enorme të çmimeve.
Pas këtij ndryshimi që parasheh një rritje lineare të pensioneve një vit më vonë, në vitin 2025, u bë edhe një ndryshim tjetër me ç’rast u ndryshua neni 37 dhe u shtua kushti “pensioni të paguhet në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi se edhe pse në shikim të parë kushti duket neutral (nuk bën dallim sipas shtetësisë, përkatësisë etnike, etj.), ai de facto i ndan pensionistët sipas vendbanimit të tyre.
“Me këtë pensioni i tyre bëhet më i ulët se pensioni i një personi me të njëjtin stazh pune dhe të njëjtën shumë bazë vetëm për shkak të vendit të ndryshëm të pagesës. Organet kompetente nuk e kanë shqyrtuar arsyetimin, as nuk kanë dhënë shpjegim për atë se cili ishte qëllimi i shtetit për përjashtimin e këtij grupi të pensionistëve”, ka konstatuar Komisioni.
Ankesa në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi u dorëzua nga një pensioniste që punonte në kopshtin e fëmijëve “8 Marsi” në Shkup dhe bashkëshorti i saj, një ish-punonjës i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë (TKM). Ata janë të mendimit se shteti po i diskriminonte për shkak të vendbanimit të tyre.
Pas kësaj një ankesë tjetër u dorëzuar edhe nga një pensionist që jetonte në Slloveni.
Sipas të dhënave të FSPI në muajin shtator në Maqedoninë e Veriut ka pasur 347.352 pensionistë. Pensioni mesatar i paguar ka qenë 27.189 denarë. Më të shumtët (rreth 250.000 pensionistë) janë përfitues të pensioneve të pleqërisë.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se mbi një e pesta e popullsisë së Bashkimit Evropian është mbi 65 vjet, një shifër që pritet të arrijë një të tretën deri në vitin 2050. Për t’u përballur me shpenzimet në rritje të pensioneve disa vende të BE-së kanë njoftuar ndryshime në sistemet e tyre pensionale, duke përfshirë këtu edhe rritjen e moshës së pensionimit.




