Europol operacion në disa shtete, mes tyre edhe Maqedonia e Veriut

EUROPOL ka zhvilluar përgjatë javëve të fundit të muajit tetor një superoperacion kundër vjedhjes së mjeteve motorike, trafikimit të tyre dhe qenieve njerëzore në të gjithë Evropën, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut, transmeton TopChannel.

Aksioni është përqendruar kryesisht në Greqi, ku kanë pasur bazat kryesore celulat kriminale dhe nga drejtonin si trafikun e mjeteve, ashtu dhe të klandestinëve. Mbi 200 mjete të vjedhura u zbuluan dhe bllokuan, si dhe u bënë mbi 100 arrestime.

Operacioni u kodua “JAD Mobile 8” (Dita e veprimit të përbashkët) dhe u koordinua nga EUROPOL dhe FRONTEX. Në Greqi u përfshinë 6 zona nën kontrolle të rrepta, ku u zbuluan në total 231 makina të vjedhura gjatë 11 ditëve aksion.

‘Ky veprim specifik është pjesë e një veprimi më të gjerë evropian të koordinuar nga Frontex në bashkëpunim me Autoritetet Greke, Gjermane, Spanjolle dhe Polake, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian si Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia morën pjesë në veprim. Vende të treta, si Shqipëria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra, si dhe Europoli dhe Interpoli, morën pjesë gjithashtu”, njofton EUROPOL.

Sipas “Protothema”, u kryen kontrolle intensive të automjeteve dhe individëve si në kufijtë e jashtëm të vendit ashtu edhe brenda tij, konkretisht në Atikë, Selanik, Kilkis, Ftiotidë, Traki, Seres, si dhe në pikat e kalimit kufitar (Mertzani, Kristallopigi, Kakavia) me qëllim identifikimin e automjeteve të vjedhura të falsifikuara.

Gjatë aksionit operativ në Evropë, u identifikuan 462 automjete të vjedhura dhe me shasi të falsifikuar (232 më shumë krahasuar me aksionin përkatës të vitit të kaluar), ndërsa në Greqi u kontrolluan gjithsej 6,548 automjete (1,263 më shumë krahasuar me vitin e kaluar), u identifikuan 231 automjete të vjedhura dhe të falsifikuara (57 më shumë krahasuar me vitin e kaluar), u arrestuan 84 emigrantë të paligjshëm të kombësive të ndryshme dhe 21 trafikantë, si dhe u sekuestruan lëndë narkotike, me një peshë totale prej 199.56 gramë.

Aksioni i përbashkët operativ është kryer nga 20 tetori, deri më 31 tetor 2025.