Futbollisti i yllit të Borussia Dortmund dhe partneri i reperes Loredana, Karim Adeyemi, ka vendosur të thyejë heshtjen pas titujve të bujshëm që pushtuan mediat gjermane ditët e fundit.
Pas raportimeve se futbollisti është gjobitur me një shumë marramendëse prej rreth 450 mijë eurosh, Adeyemi ka bërë një reagim publik në Instagram për të sqaruar situatën e pazakontë që e çoi në këtë pikë.
“Mystery Box” që i hapi telashe me ligjin
Përmes një ‘Instastory’, Adeyemi ka shpjeguar se gjithçka nisi nga një pakujdesi në fillim të vitit 2024. Ai pranon se kishte porositur online një të ashtuquajtur “Mystery Box” (Kuti Misterioze) në “Darknet”, pa e menduar gjatë pasojën.
“Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa u menduar mirë, porosita një ‘Mystery Box’ në internet. Brenda saj kishte objekte që sipas ligjit për armët nuk lejohen,” – shkruan futbollisti.
Ai sqaron më tej se pakoja kishte mbërritur shumë muaj më vonë dhe, krejt rastësisht, kishte përfunduar e pahapur në duart e policisë.
Pendimi publik: “Kam dështuar si shembull”
Adeyemi nuk e ka fshehur pendimin për këtë veprim, duke e pranuar se kjo situatë i ka kushtuar shtrenjtë – si financiarisht, ashtu edhe moralisht.
“Ishte një gabim i madh. Një gabim për të cilin më vjen shumë keq, që më ka kushtuar shumë dhe për të cilin pendohem thellësisht,” shprehet ai.
Futbollisti gjithashtu ka prekur aspektin e përgjegjësisë së tij si figurë publike:
“E di që jam në vëmendjen e publikut dhe kam një funksion si shembull. Në këtë rast, nuk e kam përmbushur atë. Pikërisht për këtë më dhemb edhe më shumë që kam vepruar me kaq pakujdesi.”
Në përmbyllje, partneri i Loredanës ka premtuar se ka mësuar nga ky gabim dhe se situata të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen, duke falënderuar ata që vazhdojnë ta mbështesin.




