Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe miratimi i buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.
Kuvendi i Kosovës e ka thirrur për sot seancën për votimin e Qeverisë së re, në orën 14:00.
Në webfaqen e Kuvendit, thuhet se nga ora 11:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, që në rend të ditës është:
1. Formimi i komisioneve parlamentare,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
9. Çështja e financimit të RTK-së.
Vendi: Salla e seancave
Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar për formimin e Qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit.
Osmani kishte deklaruar se Konjufca dhe VV kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, sa janë të nevojshme për votimin e Qeverisë.
Afati 15 ditor që ka Konjufca për ta prezantuar përbërjen e kabinetit qeveritar, përfundon pikërisht nesër.
Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavaci në një deklaratë për RTV21 tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë të gjithë hapat në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por sipas saj është e qartë se nuk ka gatishmëri nga partitë tjra për marrëveshje.
Ajo shtoi se për seancën e nesërme kanë 57 vota të siguruara./21Media




